Dy persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë duke u intervistuar, pas aksionit “Brezovica”, me ç'rast janë bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, përfshirë edhe objektin e Komunës së strukturave paralele të Serbisë në Shtërpcë.
Në këtë aksion është arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
“Gjatë zbatimit të kontrolleve të mëhershme, janë gjetur dokumentacione që ndërlidhen me rastin 'Brezovica'. Pasi njëri nga të arrestuarit, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, është edhe koordinator i strukturave paralele, përkatësisht i Komunës paralele serbe në Shtërpcë”, tha Rasim Maloku, prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Nga materialet e sekuestruara, tha ai, do vërtetohet se a ka qenë lidhja funksionale mes dy komunave.
SHIKONI EDHE: Arrestohen shtatë persona për rastin “Brezovica 3”Gjatë bastisjes, tha prokurori i rastit, janë konfiskuar para, armë, municion, laptop. Ai nuk tregoi vlerën e parave apo sasinë e armëve.
Lidhur me këtë aksion ka reaguar drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, duke thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës "ka hyrë në disa shtëpi serbe në komunën e Shtërpcës dhe se ka bllokuar punën e oragneve të përkohshme serbe".
Ai e ka cilësuar këtë aksion edhe si një provokim.
Aksionet e koduara si “Brezovica”, kanë nisur qysh në fund të vitit të kaluar.
Në shënjestër të tyre janë personat e dyshuar për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.
Në fillim të muajit mars, në kuadër të këtyre aksioneve janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.
Aksioni ishte zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme në katër komuna të Kosovës, përkatësisht në Ferizaj, Prishtinë, Skënderaj dhe Lipjan, por nuk ka dhënë detaje se cilës komunë i përkasin personat e arrestuar.
Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.
Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media më 21 dhjetor tha se Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.
Sipas Malokut, shumica e ndërtesave të ndërtuara janë ndërtuar kundërligjshëm.
SHIKONI EDHE: Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se përfitoi kundërligjshëm një milion euro