Qeveria e Brazilit tha se do të refuzojë ofertën për ndihmë nga G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, për fikjen e zjarreve në pyjet e Amazonës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ishte nikoqir i samitit të G7-ës, që përfundoi të hënën, tha se është rënë dakord për 22 milionë dollarë ndihmë.
Zyrtarët brazilianë nuk dhanë arsye për refuzimin e parave, por presidenti Jair Bolsonaro e akuzoi Francën për trajtimin e Brazilit si koloni.
Ministri i tij i Brendshëm, Fernando Azevedo e Silva, tha se zjarret në Amazonë nuk janë jashtë kontrollit.
Shefi i stafit të Bolsonaros, Onyx Lorenzoni, tha se fondet e ofruara nga vendet e G7-ës "mund të jenë më të rëndësishme për pyjet në Evropë".
"Macron nuk mund të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë së botës dhe ai dëshiron të na japë mësime për vendin tonë", tha Lorenzoni për portalin e lajmeve Globo, duke iu referuar zjarrit që përfshiu katedralen Notre-Dame në Paris në muajin prill.
Ai po ashtu tha se Brazili mund ta mësojë "çdo vend" se si t’i mbrojë pyjet e veta.
Rajoni i Amerikës Jugore është përfshirë nga një numër rekord zjarresh, shumica e tyre në Brazil, duke nxitur shqetësim ndërkombëtar, për shkak të rëndësisë së Amazonës për mjedisin global.
Kritikët e kanë akuzuar Bolsonaron për përkeqësimin e shpyllëzimit në Amazonë përmes retorikës antimjedisore.
Më herët, ai ka thënë se qeverisë së tij i mungojnë burimet për të luftuar zjarret në Amazonë.
Presidenti i Francës, Macron, tha të hënën se Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë prej 22 milionë dollarësh dhe se fondet do të jenë në dispozicion "menjëherë".
Macron tha se vendet e G7-ës do të mbështesin edhe një nismë më të gjerë që rajoni i Amazonës të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, e kundërshtoi këtë nismë, duke shkruar në Twitter se "kjo do të thotë se Brazili do të trajtohet si koloni ose tokë e askujt".
Përballë presionit në rritje nga jashtë, Bolsonaro autorizoi ushtrinë të ndihmojë në fikjen e zjarreve.
U tha se 44,000 ushtarë po luftojnë me flakët dhe se operacionet ushtarake janë duke u zhvilluar në shtatë shtete, si rezultat i kërkesave për ndihmë nga qeveritë lokale.
Zjarret ndodhin shpesh në sezonin e thatë në Brazil, por të dhënat satelitore kanë treguar një rritje prej 80% këtë vit.
SHIKONI EDHE: Macron për zjarret në Amazonë: Shtëpia jonë po digjetSi rajoni më i madh pyllor në botë, Amazona është thithëse e rëndësishme karbonit, që i kontribuon ngadalësimit të ritmit të ngrohjes globale.
Pyjet shtrihen në një numër vendesh, por shumica e tyre janë në Brazil.
Amazona njihet si "mushkëritë e botës" për rolin e saj në prodhimin e oksigjenit.