Në errësirën para agimit të 4 gushtit, Viktoria Marynina dhe më shumë se 100 ukrainas të tjerë nga qyteti i Ivano-Frankivskut u mblodhën në bazën e Malit të Kryqit të Megjugorjes, duke u përgatitur për t'u lutur që të marrë fund lufta në vendin e tyre.
Grupi i katolikëve, ku ishin edhe disa fëmijë, u ngjit për më shumë se një orë mbi gurët tashmë të lëmuar nga këmbët e miliona pelegrinëve për të arritur te kryqi historik, në majë të malit në kohën e lindjes së diellit.
Udhëtimi i mundimshëm ia vlejti, tha Marynina më pas, "sepse ne ndjemë hirin e Perëndisë atje lart", duke shtuar:
"Ne besojmë se ai mund të ndihmojë".
Ukrainasit janë disa nga pelegrinët e shumtë që u nisën për në qytetin dikur të panjohur boshnjak të Megjugorjes këtë verë, pasi Papa Françesku autorizoi zyrtarisht pelegrinazhet atje.
Ngritja e Megjugorjes nga një fshat i panjohur jugosllav që prodhonte duhan dhe verë në një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit të krishterë në botë, filloi në qershor të vitit 1981, kur një grup fëmijësh pretenduan se kishin parë disa shfaqje të Virgjëreshës Mari në një kodër shkëmbore mbi fshatin e tyre.
Teksa lajmet për pamjet e pretenduara u përhapën, pelegrinët filluan të mbërrinin atje. Fillimisht, nga Jugosllavia e atëhershme, pastaj edhe nga jashtë.
Amna Jusufoviq, një udhërrëfyese e turistëve nga Mostari aty pranë, kujton tërheqjen [e vizitorëve] që vendi kishte filluar të shënonte brenda pak vjetësh nga shfaqjet e pretenduara.
Në vitin 1992, me luftën e ndezur në Mostar, ajo kaloi nëpër Megjugorje, në përpjekje për të arritur te prindërit e saj të moshuar që kishin mbetur të rrethuar.
"Unë jam këtu në Megjugorje, pastaj arrij [në Mostar] dhe gjithçka është në flakë. Është vetëm një gjysmë ore larg!", ajo tha. "Nuk do ta mendonit kurrë se pelegrinët atëherë do të ishin në Megjugorje, por kishte shumë".
Ajo thotë se shumica e pelegrinëve gjatë kohës së luftës erdhën nga Italia.
Ndërsa Megjugorje filloi të transformohej nga një numër në rritje i pelegrinëve që vinin nga e gjithë bota në vitet 2010, Vatikani dërgoi ekipe kërkimore për të hetuar pamjet për të cilat ishte raportuar.
Papa Françesku fillimisht e hodhi poshtë paraqitjen e supozuar të Virgjëreshës Mari, duke thënë në vitin 2017 se pretendimet “nuk vlenin shumë".
Papa me sa duket e zbuti qëndrimin e tij më pas. Në maj të vitit 2019 ai autorizoi zyrtarisht organizatat katolike për të organizuar pelegrinazhe atje, ndërsa tha se shfaqjet e pretenduara kishin nevojë për hetime të mëtejshme.
Por, ndërsa Megjugorje po përgatitej për një fluks masiv pelegrinësh katolikë, goditi pandemia e COVID-19.
Ivo, një kamerier në restorantin e njohur Pivnica Medugorje, thotë se pandemia goditi veçanërisht qytetin, i cili është pothuajse tërësisht i varur nga turizmi.
"Ne kemi vend [ulëse] për 500 njerëz në restorantin tonë dhe pothuajse askush nuk vinte, mund ta imagjinoni", tha ai. "Zakonisht, ne kemi 10 kamerierë në staf këtu. U shkurtua në tre. Ishte, vërtet, keq".
Sot, thotë ai, qyteti është më i ngarkuar se kurrë.
Kreu i Shoqatës së Turizmit të Megjugorjes, Mario Vasilj, i tha Radios Evropa e Lirë se është vështirë të dihet numri i saktë i turistëve në qytet, pasi që shumë njerëz ndalojnë vetëm për një kohë të shkurtër gjatë rrugës për në vende tjera në Ballkan. Por, ai bëri të ditur se një festival i të rinjve këtë vit tërhoqi rreth 30.000 pelegrinë - më shumë njerëz sesa që mund t'i përballojë qyteti me kapacitet prej 20.000 shtretërish.
Ndërsa fama e Megjugorjes përhapej, filluan të tregohen legjenda për gjërat e lidhura me qytetin, teksa disa histori ngrenë zemërimin e zyrtarëve katolikë.
Një pelegrin i moshuar italian i dënuar për mashtrim kohët e fundit solli një statujë të Virgjëreshës Mari nga Megjugorje dhe pretendoi se ajo i dha asaj një picë të pasosur.
"Ishte një picë për katër [persona] dhe 25 prej nesh hëngrëm prej saj. Nuk zvogëlohej kurrë", e citoi AFP-ja atë. "Ne ishim të tronditur!"
Një peshkop vendas në fshatin italian të Civitaveçiaa ka kërkuar që kongregacioni i tij të mbajë distancë nga një faltore e bërë nga një statujë e blerë në Megjugorje, e cila gjithashtu dyshohet se qan me lot gjaku. Zyrtarë të tjerë të kishës i kanë quajtur pretendimet "absolutisht jo të besueshme".