Bosnja pritet të marrë këtë javë statusin e vendit kandidat

Flamuri i Bosnje e Hercegovinës vedoset pranë flamurit të BE-së në Bruksel. Qershor 2022.

Bosnje e Hercegovina pritet të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian më 13 dhjetor, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas të njëjtave burime, në takimin e së martës të Këshillit të çështjeve të përgjithshme pritet që ministrat e vendeve anëtare në Bruksel të miratojnë konkluzat për vendet e procesit të zgjerimit, ku do të rekomandojnë edhe dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjën.

Më pas, në takimin e shefave të qeverive apo shteteve të BE-së, më 15 dhjetor, Këshilli Evropian pritet të konfirmojë dhënien e këtij statusi.

Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.

SHIKONI EDHE: KE rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjën

Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes, migracionin, dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Por, Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.

Disa shtete – sikurse Austria, Kroacia dhe Sllovenia – kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë, pasi Moldavia dhe Ukraina në qershor morën statusin e vendit kandidat.

Të tjerët, përfshirë Holandën, janë shprehur kundër zgjerimit, edhe pse pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.

Bosnja e Hercegovina vazhdon të jetë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimorë që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Në të njëjtën ditë kur Bosnja e Hercegovina pritet të marrë statusin e kandidatit, pritet që Kosova të dorëzoj aplikacionin formal për anëtarësim në BE.