Borxhe për gjeneratat e reja

Kartmonedha prej 200 eurosh (Foto ilustruese).

Qeveria e Kosovës po planifikon të hyjë në borxh në vlerë prej 230 milionë eurosh, për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, pako kjo që është publikuar, të mërkurën (30.06.2021) nga qeveria e Kosovës.

Shuma e përgjithshme e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, është 420 milionë euro, financimi nga buxheti është 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro të tjera parashihen për financim nga huamarrja. Ende nuk dihet se këto mjete a do të jene borxhet ndërkombëtare apo të brendshme.

Borxhi publik në Kosovë vitin e kaluar ka arritur në vlerën 1.5 miliard euro. Nga kjo vlerë 961.9 milionë euro janë borxh i brendshëm dhe mbi 520 milionë borxh ndërkombëtar. Krahasuar me vitin 2019, vlera e borxhit të përgjithshëm ka shënuar rritje për 23 për qind.

Në vitin 2016, vlera e borxhit të përgjithshëm të Kosovës, ishte 850 milionë euro ose 14 për qind të Bruto Produktit Vendor.

SHIKONI EDHE: Plani i rimëkëmbjes, pas gjendjes emergjente

Autoritet kompetente duhet të jenë të kujdesshme për rritjen e nivelit të borxheve, thotë profesori i ekonomisë Alban Zogaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti kjo në opozitë. Edhe pse shteti ka nevojë dhe hapësirë ligjore për huazime, e rëndësishme, sipas tij, është që borxhi të planifikohet në mënyrë të duhur dhe për projekte konkrete. Planifikimet për marrjen e borxheve të reja, thekson ai, duhet të diskutohen edhe më partitë e tjera në Kuvendin e Kosovës.

“Ekonomia e Kosovës ka nevojë për rimëkëmbje dhe duhet të gjejmë të gjitha format që të fusim para në ekonomi, sa më shumë që të jetë e mundur. Borxhi është vetëm një nga alternativat të cilat duhet të përdoren. Kosova duhet të tërheq investitorë të jashtëm për të investuar, sepse ata krijojnë vende pune dhe ringjallin ekonominë, duhet ftuar diasporën për të investuar në Kosovë. Por, duhet të marrim edhe borxh ndërkombëtar”, tha Zogaj.

SHIKONI EDHE: Kërkohet rishikimi i Programit për Rimëkëmbje Ekonomike

Huazimi i parave nga institucionet e huaja ndërkombëtare, është zgjidhje dhe domosdoshmëri, për rikuperim të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia prej COVID-19, thotë Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ish-këshilltar për ekonomi në qeverinë e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Ai tha se borxhet e realizuara, duhet të orientohen në sektorin privat si gjenerues i vetëm i të ardhurave të buxhetit.

“Andaj e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të hyjë në borxh sa më shpejtë, për shkak se të gjithë parametrat ekonomikë, tregojnë se kohëve të fundit ka mundësi reale që ekonomia të kthehet, por efekti i pandemisë do të ketë pasoja edhe vitin e ardhshëm. Prandaj, Kosova ka kredibilitet dhe mundësi reale për të hyrë në borxh, pasi kjo krijon mundësi që ekonomia të ketë një rikuperim më të shpejtë. Kështu, nuk shoh ndonjë rrezik të çfarëdo natyre, nëse Kosova vazhdon të hyjë në borxh pasi ky trend, nuk është vetëm në Kosovë, por në gjithë botën”, thekson ai.

SHIKONI EDHE: Borxhi publik - mundësi për shpëtimin e ekonomisë  

Ramosaj: Kosova mund të futet në “zonën e kuqe”

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë se niveli i borxhit aktualisht nuk është i lartë, por nëse vazhdohet më këtë ritëm të huazimit, Kosova shpejt do futet në “zonën e kuqe”. Ai tha se qeveria aktuale ka një orientim më të theksuar tek borxhet ndërkombëtare.

“Niveli aktual i borxhit nuk është ende në pikën kritike, por nëse vazhdohet me një trend të rritjes se mjeteve hua për financimin e veprimtarive shoqërore, sidomos asistencës dhe formave tjera që janë preokupim i qeverive të majta, sigurisht edhe mund të hyjmë edhe në “zonën e kuqe”. Në ekonominë amerikane, kjo tregon bankrotim shteti, kurse në ekonominë e vendeve tjera, hynë në deficit të madh dhe për atë deficit, duhet të gjejnë formën e financimit, respektivisht mbajtjes se ekuilibrit”, thekson Ramosaj.

Rritja e borxhit, sipas Buletinit vjetor mbi borxhin publik të publikuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, është si rrjedhojë e disbursimeve prej 215 milionë euro vitin e kaluar, prej të cilave mbi 177 milionë euro për menaxhimin e pandemisë prej COVID-19, si dhe emetimet e reja të Letrave më Vlerë.

Gjatë vitit 2020, janë ratifikuar gjashtë kredi në mes Qeverisë së Kosovës dhe kreditorëve: tre marrëveshje me Bankën Botërore, një me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), një me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), një marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE) dhe një marrëveshje me Bashkimin Evropian (BE).

Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë, thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Aktualisht mbi 20 për qind të Bruto produktit Vendor Kosova ka borxh.

SHIKONI EDHE: Pandemia rrit për trefish deficitin buxhetor

Zogaj: Borxhi mbetet për gjeneratat e reja

Pavarësisht hapësirës ligjore, për konsum të borxhit publik, Alban Zogaj shprehet se është e rëndësishme që borxhi të planifikohet mirë dhe me plan konkret, pasi kjo i mbetet barrë gjeneratave të reja.

“Borxhi i shtetit është shumë i ngjashëm më borxhin e familjes. Kthimi i borxhit gjithmonë lë anash diçka tjetër. Dhe problematika e madhe me borxhin, është se gjeneratat e ardhshme e paguajnë borxhin që e marrim ne si gjeneratë aktuale. Prandaj, duhet të kemi kujdes shumë të madh kur hyjmë në borxhe të reja. Ato duhet të jenë të planifikuara mirë dhe duhet të jenë të dedikuara për projekte kapitale, të cilat e kthejnë vetvetiu borxhin”,tha Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Por, Berim Ramosaj thekson se të gjitha qeveritë e deritanishme, duke përfshirë edhe qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk mendojnë për afatin e kthimit, por zgjidhjen e problemeve vetëm për mandatin e tyre katër vjeçar.

“Tashme është ekonomi më afatshkurtër, sidomos kur është fjala për Kosovën. Gati asnjëra qeveri nuk ka pasur plane strategjike, as që mendojnë për gjenerata pas 10 apo 15 vjet. Mendojnë si të dalin faqebardhë me qeverisjen katër vjeçare dhe nuk i intereson për më vonë”, tha Ramosaj.

Republika e Kosovës ka nivelin më të ulët të borxhit publik krahasuar më Bruto Produktin Vendor (BPV). Shqipëria dhe Serbia, sipas Vjetarit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, renditen me borxhin më të lartë në rajon, 63 respektivisht 52 për qind të BPV.

Bruto Produktit Vendor për vitin 2019 në Kosovë, ishte mbi 7 miliardë euro.

Borxhi i përgjithshëm përkufizohet si “tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal, që merren në emër të institucioneve qendrore qeveritare, e që Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.

SHIKONI EDHE: BB: Ekonomia e Kosovës në nivelet e para pandemisë rikthehet më 2022