Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor i është drejtuar me një fjalim Kuvendit të Kosovës, ku ka inkurajuar deputetët që t’i miratojnë marrëveshjet, përfshirë edhe Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Pahor tha se po viziton Prishtinën, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, për të “thelluar marrëdhëniet”, në mes të Sllovenisë dhe Kosovës.
“Për nder të këtij jubileu, pranoni urimet e mija dhe të shtetit që përfaqësoj dhe uratat më të mira nga populli ynë për të ardhmen tuaj të suksesshme”.
Pahor tha se populli slloven dhe shqiptarët e Kosovës, kanë mbështetur njëri-tjetrin për pavarësinë e shteteve përkatëse. Ai tha se dy shtetet, e kanë për detyrë që të mbrojnë të drejtat e minoriteteve.
Pavarësisht problemeve, tha ai, Sllovenia po përmirëson marrëdhëniet me fqinjët e saj, edhe pas 25 vjet të krijimit të shtetit.
“Unë e kuptoj kompleksitetin e kësaj detyre të vështirë. Prandaj, unë kam mbështetur përpjekjet e Prishtinës dhe Beogradit, që gradualisht të përmirësojnë çështjet e hapura përmes bisedimeve dypalëshe dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian”, tha Pahor.
Ai ka theksuar se duhet të fuqizohet bashkëpunimi dhe se është e rëndësishme të respektohen marrëveshjet dhe të vazhdohen bisedimet.
“Si një mik i juaji, ju inkurajoj që të mos hezitoni t'i miratoni marrëveshjet. Unë e di sesa e vështirë është e vështirë është për ju, për Parlamentin dhe Qeverinë, por nuk ka mënyrë tjetër nëse ne duam të arrijmë një stabilitet në këtë rajon”, tha presidenti Pavor.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e seancës solemne për nder të vizitës së presidentit të Sllovenisë në Kosovë, Borut Pahor, tha se vizita e presidentit Pahor në Kosovë është dëshmi e partneritetit dhe miqësisë që kanë ndërtuar dy shtetet.
“Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj historike. Duke pasur këtë mbështetje sot Kosova ndihet më e sigurt dhe më e fuqishme në rrugën e saj euro-atlantike. Adresimi i presidentit slloven Borut Pahor në Kuvendin e Kosovës, shpreh më se miri frymën e partneritetit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, tha Veseli.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka nisur vizitën të hënën në Kosovë ku është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.