Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve, duke thënë se Kievi ka të drejtë t’i sulmojë vendet nga të cilat sulmohet.

Duke folur në Bruksel, përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, Borrell tha se është “absurde” të thuash se sulmet në territorin e Rusisë, do të nënkuptonin luftë direkte kundër Moskës.

“Askush nuk dëshiron” një luftë me Rusinë, tha ai.

“Por, vendoseni veten në vendin e ukrainasve: Rusët po ju bombardojnë nga një vend ku nuk mund të arrini. Ju dëshironi të luftoni si të barabartë”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i godasë vendet nga ku Rusia e sulmon.

Zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, u kanë bërë vazhdimisht thirrje aleatëve globalë të Ukrainës që ta lejojnë atë t’i godasë objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë, me armët që ia siguron Perëndimi.

Javë më parë, Ukraina ka nisur një inkursion në territorin rus.

Zelensky ka thënë se Rusia “duhet ta ndjejë atë që ka bërë”.

Ditëve të fundit, Rusia është përgjigjur me sulme të ashpra me raketa dhe dronë, të cilat kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas thonë se, pavarësisht dërgesave të armëve të reja që po e ndihmojnë Ukrainën, forcat e saj të armatosura janë ende në disavantazh, sepse kufizimet e Perëndimit i pengojnë ato që t’i përdorin armët me rreze të gjatë, për të goditur thellë brenda territorit rus.

“Siguria afatgjate për Evropën fillon me vendime afatshkurtra dhe të guximshme për Ukrainën”, u tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gazetarëve në Bruksel më 29 gusht.

SHIKONI EDHE: BE diskuton për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Ukrainë