Boris Johnson, politikani që ka premtuar se do të largojë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian me apo pa marrëveshje më 31 tetor, do të zëvendësojë Theresa May-n në rolin e kryeministrit, pasi ka fituar garën për të parin e Partisë Konservatore në Britani, ditën e martë.
Fitorja e tij rrezikon që të bllokojë procesin e Brexitit, pasi ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.
SHIKONI EDHE: BE këmbëngul: S'ka negociata të reja për BrexitJohnson, i konsideruar si fytyra e referendumit të vitit 2016 për Brexit, ka fituar votat e 92,153 anëtarëve të Partisë Konservatore, në krahasim me 46,656 sa ka fituar rivali i tij, Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.
May do të largohet nga zyra kryeministrore ditën e mërkurë, pasi të takojë Mbretëreshën Elizabetë në Pallatin Buckingham.
“Nder i jashtëzakonshëm”
Kryeministri i ri britanik ka përshëndetur rivalin, Jeremy Hunt duke thënë se ai ka “ide të mrekullueshme” të cilat ka premtuar se do t’i huazojë.
Për të, kjo fitore përbën “nder të jashtëzakonshëm”.
Ai po ashtu ka falënderuar edhe kryeministren në shkuarje për shërbimin e saj ndaj shtetit.
Sipas tij ka qenë privilegj që ka shërbyer në kabinetin e May-t, sepse ka parë pasion dhe vendosshmëri gjatë udhëheqësisë së saj.
Theresa May, ka njoftuar se më 7 qershor se do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.
SHIKONI EDHE: Kryeministrja britanike përlotet në fjalimin e dorëheqjesPak minuta pas fitores së Johnsonit, lideri opozitar në Britani, Jeremy Corbyn ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se Johnson nuk e ka fituar mbështetjen nga shteti.
“Boris Johnson ka fituar mbështetjen e më pak se 100,000 anëtarëve jopërfaqësues të Partisë Konservatore, duke premtuar ulje të taksave për të pasurit, duke e prezantuar veten si mik të bankierëve dhe duke shtyrë përpara procesin dëmtues të Brexitit pa marrëveshje. Por ai nuk ka fituar mbështetjen e shtetit”, është shprehur ai.
Reagimet pas fitores së Johnson-it
Presidenti amerikan Donald Trump ka përgëzuar Johnsonin për fitoren e tij.
“Urime Boris Johnsonit në pozitën e re si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Ai do të jetë i mrekullueshëm!” ka thënë Trump në një postim në Twitter.
Ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka thënë se ajo është “thellësisht e shqetësuar” pas fitores së Johnsonit.
“Unë e përgëzoj Boris Johnsonin për fitoren e tij si lider i konservatorëve dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar se ai respekton qëndrimet dhe interesat e Skocisë. Megjithatë jam thellësisht e shqetësuar rreth koncepteve të udhëheqësisë së tij, andaj do të ishte e pasinqertë nga ana ime nëse nuk do të isha e sinqertë për këtë”.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.