Së paku 18 njerëz janë vrarë dhe 92 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite në Bejrut, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit të enjten mbrëma. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, ushtria izraelite vrau 27 njerëz gjatë një sulmi në një shkollë që po strehonte palestinezë në Rripin e Gazës.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit, NNA, raportoi për dy sulme ajrore në mbrëmje në qendër të Bejrutit. I pari kishte në shënjestër një ndërtesë tetëkatëshe dhe i dyti një ndërtesë katërkatëshe, e cila u shemb plotësisht si pasojë i sulmit, tha NNA.
Agjencia e lajmeve Retuers raportoi me burime se në shënjestër të sulmeve ishte të paktën një figurë e lartë e Hezbollahut. Kjo është hera e tretë që ushtria izraelite kryen sulme në Bejrut prej kur Izraeli e filloi një fushatë ushtarake në Libanin jugor muajin e kaluar kundër grupit mbështetur nga Irani, Hezbollah, gjë që ka ngjallur frikë për shpërthimin e një lufte të përgjithshme rajonale.
SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se eliminoi një anëtar kyç të Hezbollahut në Rrafshnaltën e GolanitMë herët më 10 tetor, një sulm izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës vrau të paktën 27 persona, thanë zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë, ndërsa një sulm tjetër izraelit goditi selinë e paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor, duke e nxitur Italinë ta qortojë ambasadorin izraelit në Romë.
Ushtria izraelite tha se kreu një "sulm të saktë mbi terroristët", të cilët kishin vendosur një qendër komanduese në shkollë.
"Ky është një shembull tjetër se si organizata terroriste Hamas e abuzon sistematikisht infrastrukturën civile, duke shkelur ligjin ndërkombëtar", tha ushtria izraelite.
Grupi militant palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i ka mohuar akuzat e tilla.
Njerëzit që ishin strehuar në shkollë thanë se sulmi goditi punonjësit e ndihmës gjatë një takimi të tyre dhe plagosi 54 persona të tjerë.
Izraeli ka vazhduar t’i godasë ato që thotë se janë shënjestra militantësh në të gjithë Gazën, edhe pse njëkohësisht e ka zgjeruar luftën pasi po e lufton edhe Hezbollahun në Liban, në një kohë të tensioneve të rritura me Iranin.
SHIKONI EDHE: Izraeli paralajmëron se sulmi ndaj Iranit do të jetë “vdekjeprurës” dhe “befasues”Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Në një incident tjetër më 10 tetor, forcat paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor thanë se një tank izraelit hapi zjarr ndaj selisë së tyre në qytetin Naqoura, duke goditur një kullë vrojtimi dhe duke plagosur dy paqeruajtës. Kombësia e paqeruajtësve të plagosur nuk u bë e ditur.
Misioni paqeruajtës i OKB-së i njohur si UNIFIL tha në një deklaratë se forcat izraelite gjithashtu qëlluan drejt një bunkeri të afërt ku po strehoheshin paqeruajtësit, duke dëmtuar automjete dhe një sistem komunikimi.
Izraeli i vazhdoi sulmet pavarësisht se Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, e paralajmëruan atë të mos kryejë bombardime në Liban të ngjashme me ato që e kanë shkatërruar plotësisht Gazën. Izraeli e nisi luftën në Gazë si hakmarrje ndaj Hamasit pas sulmit vdekjeprurës të këtij grupi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, që la më shumë se 1.100 persona të vdekur.
Bombardimi i Izraelit në Gaza qendrore dhe veriore ditët e fundit ka vrarë dhjetëra njerëz dhe ka bllokuar mijëra në shtëpitë e tyre, sipas zyrtarëve palestinezë.
SHIKONI EDHE: Lufta shkatërruese e Izraelit në Gazë - në shifra"Nuk duhet të ketë asnjë lloj veprimi ushtarak në Liban që i ngjan atij në Gazë dhe që sjell pasoja të ngjashme me ato në Gazë", tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, për gazetarët më 9 tetor.
Paralajmërimi erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, theksoi bisedë telefonik, më 9 tetor, me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nevojën për një marrëveshje diplomatike për kthimin e civilëve libanezë dhe izraelitë në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit.
Biden gjithashtu dënoi sulmin me raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit më 1 tetor, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë.
Biden "pohon të drejtën e Izraelit për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga Hezbollahu, i cili ka lëshuar mijëra raketa në Izrael vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa theksoi nevojën për të minimizuar dëmet ndaj civilëve, veçanërisht në zonat e mbipopulluara të Bejrutit", thuhet në deklaratë.