Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së tij dyditore në Kinë.
Gjatë një konference për media në Kinë pas takimit me Xi, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Kina ka përsëritur premtimin e saj se nuk do t’i dërgojë Rusisë armë për luftën në Ukrainë, edhe pse ai shprehu shqetësim për veprimet e kompanive private kineze.
“Ne – dhe shtetet e tjera – kemi pranuar siguri nga Kina se nuk po i ofron dhe nuk do t’i ofrojë ndihmë vdekjeprurëse Rusisë, që ajo ta përdorë atë kundër Ukrainës”, tha Blinken.
Duke folur për vizitën dyditore në Kinë, Blinken tha se është “e qartë” që raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës janë “të paqëndrueshme” dhe të dyja palët e kanë pranuar se ato duhet të stabilizohen.
Ai tha se është e rëndësishme të hapen linjat e komunikimit, në mënyrë që të adresohen perceptimet dhe llogaritjet e gabuara, duke shtuar se vizitat e zyrtarëve të lartë kinezë në SHBA, dhe atyre amerikanë në Kinë, pritet të ndodhin në javët e ardhshme.
“Përparimi është i vështirë, nuk është produkt i një udhëtimi”, tha Blinken, duke theksuar se vizita dyditore ka qenë një hap pozitiv përpara.
Blinken tha se me zyrtarët kinezë ka pasur “bisedime të forta” për çështjet globale”, duke shtuar se konkurrenca mes Uashingtonit dhe Pekinit kurrë nuk duhet të çojë drejt një konflikti.
Sa i përket çështjes së Tajvanit, Blinken tha se ka ngritur shqetësimet e Uashingtonit lidhur me “veprimet provokuese të Kinës”, por përsëriti qëndrimin se SHBA-ja nuk e mbështet pavarësinë e këtij ishulli vetëqeverisës.
SHIKONI EDHE: Lufta në Tajvan do të ishte “shkatërruese”Nëse do të ketë krizë lidhur me Tajvanin, tha ai, ka të ngjarë “që ajo të prodhojë edhe një krizë ekonomike që do të mund të ndikonte në mbarë botën”.
Shqetësim “të thellë” ai shprehu edhe për situatën me të drejtat e njeriut në Kinë, duke përmendur në veçanti shkeljet e të drejtave të njeriut në Ksinjiang, Tibet dhe Hong Kong.
Kryediplomati amerikan tha se ka biseduar me zyrtarët kinez edhe për Korenë e Veriut dhe luftën në Ukrainë. Ai tha se në Ukrainë ka nevojë për “paqe të drejtë”, ndërkaq sa i përket Koresë së Veriut, zyrtari amerikan tha se shtetet në mbarë botën po kërkojnë që ajo të ndalojë testimin e raketave.
Ndërkaq, gjatë takimit presidenti kinez tha se me SHBA-në kanë arritur disa marrëveshje.
“Të dyja palët kanë bërë përparim dhe kanë arritur marrëveshje në disa çështje specifike. Kjo është një gjë e mirë”, tha ai.
Ai i bëri thirrje SHBA-së që të japë “kontribute më pozitive” për të stabilizuar raportet Kinë-SHBA.
“Shpresoj që përmes kësaj vizite, zoti sekretar ju do të jepni kontribute më pozitive për të stabilizuar raportet Kinë-SHBA”, tha Jinping.
Paraprakisht, më 19 qershor, Blinken diskutoi për Tajvanin dhe çështje të tjera me diplomatin e lartë kinez, Wang Yi, në Pekin, në ditën e fundit të vizitës së tij në Kinë që synon të parandalojë që mospajtimet ndërmjet dy fuqive të shkojnë drejt konfliktit.
Blinken është sekretari amerikan i Shtetit që viziton Kinën pas pesë vjetësh. Të hënën ai zhvilloi një bisedë treorëshe me Wang, thanë zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit.
SHIKONI EDHE: Pse mund të vazhdojnë përballjet e rrezikshme ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës?Duke i përshkruar raportet SHBA-Kinë si në pikën më të ulët, Wang tha se rrënjët e problemeve janë në perceptimin e gabuar të SHBA-së për Kinën.
“Ne duhet të kemi një qasje përgjegjëse ndaj qytetarëve tanë, historisë dhe botës dhe të largohemi nga kjo spirale në rënie e raporteve SHBA-Kinë”, tha Wang gjatë takimit me Blinkenin, sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Jashtme kineze.
Një ditë më parë, Blinken u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Qi Gang. Takimi zgjati më shumë se shtatë orë e gjysmë dhe u përshkrua si takim “konstruktiv”.
Wang i bëri thirrje SHBA-së që të ndalë së spekuluari për kërcënimet nga Kina, të heqë dorë nga “shtypja” e zhvillimit shkencor dhe teknologjik të Kinës dhe të frenohet nga ndërhyrja në punët e saj të brendshme, raportoi media shtetërore kineze.
Sa i përket Tajvanit, ishullit vetëqeverisës që Pekini pretendon se është pjesë e Kinës, Wang tha se “Kina nuk ka hapësirë për kompromis dhe koncesione”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme kineze.
SHBA-ja prej kohësh ndjek një politikë “të paqartësisë strategjike” lidhur me atë nëse do të përgjigjej ushtarakisht nëse Tajvani do të sulmohej, opsion që Pekini refuzon që ta përjashtojë.
Kur u pyet vitin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Uashingtoni do ta mbronte Tajvanin në rast të një pushtimi kinez, edhe pse ndihmësit e tij më vonë thanë se këto komente nuk paraqesin ndryshim të qëndrimit të SHBA-së që për kohë të gjatë mbështet atë që njihet si politika “Një Kinë”.
Zyrtarët amerikanë, po ashtu, kanë theksuar se SHBA-ja nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit.
SHIKONI EDHE: Shefi i Pentagonit: SHBA do të dërgojë ndihmë shtesë të sigurisë në TajvanNë bisedimet midis Blinkenit dhe kryediplomatit Qin të dielën duket se ka pasur pak përparim konkret në një sërë mosmarrëveshjesh, përfshirë Tajvanin, tregtinë, të drejtat e njeriut dhe pikëpamjeve të ndryshme sa i përket luftës në Ukrainë.
Blinken theksoi “nevojën për të ulur rrezikun e perceptimit të gabuar dhe keqllogaritjes” në bisedimet e tij me Qin.
Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë që të lehtësojnë vizitat e qytetarëve të të dyja shteteve dhe u pajtuan që të punojnë për rritjen e fluturimeve civile, njoftim që rriti aksionet e linjave ajrore kineze.
Blinken dhe Qin, po ashtu, shprehën dëshirën për të stabilizuar raportet dypalëshe pavarësisht se një zyrtar amerikan tha se mes shteteve ka dallime “të thella” dhe u pajtua që Qin do të vizitojë Uashingtonin për të vazhduar bisedën. Megjithatë, nuk është bërë e ditur ndonjë datë për këtë vizitë.
“Ky do të jetë një proces i diplomacisë së qëndrueshme”, tha një zyrtar i lartë i DASH-it të dielën, i cili foli në kushte anonimiteti.
Në shkurt, vizita e Blinkenit në Kinë u shty pas një balone të dyshuar të spiunazhit të Kinës, e cila fluturoi mbi hapësirën ajrore amerikane. Incidenti me balonën përkeqësoi raportet mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
*Video nga arkivi: Balona që mprehu dy superfuqitë
Gjatë vizitës në Pekin, Blinken po ashtu do të takohet me biznesmenë amerikanë të cilët operojnë në industrinë e kujdesit shëndetësor, automobilistik dhe atë të argëtimit në Kinë, për të mësuar më shumë nga ta lidhur me klimën e të bërit biznes në këtë shtet.
Në njoftimin e Kinës të lëshuar të dielën u tha se takimet e Blinkenit ishin konstruktive, por Pekini e ka bërë të qartë se Tajvani është çështja më e rëndësishme dhe potencialisht edhe çështje e rrezikshme.
“Qin Gang ka theksuar se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave të Kinës, çështja më e rëndësishme në raportet Kinë-SHBA, dhe rreziku më i madh”, citohet t’i ketë thënë Qin homologut të tij amerikan.
Kryeministri i Tajvanit, Chen Chien-jen, u tha gazetarëve se “sa i përket këtij takimi të nivelit të lartë midis Kinës dhe SHBA-së, Tajvani shikon me kujdes detajet e rëndësishme”.
Zyrtarët amerikanë kanë ulur pritjet e bisedimeve të Blinkenit me zyrtarët kinezë. Por, ky udhëtim mund të hapë rrugën për bisedimet Xi-Biden gjatë një samiti shumëpalësh më vonë gjatë këtij viti.
Biden dhe Xi zhvilluan një takim dypalësh në margjinat e samitit të G20-s nëntorin e kaluar në Indonezi. Ata biseduan për Tajvanin dhe Korenë e Veriut dhe u zotuan se do të shpeshtojnë komunikimet. Por, që atëherë raportet mes dy shteteve janë përkeqësuar.