Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se vendimi i presidentit Vladimir Putin, për të dërguar përforcime në rajonin e Harkivit të Ukrainës nënvizoi humbjet e mëdha që forcat ruse po marrin në luftën e saj.
"Ka një numër të madh të forcave ruse që ndodhen në Ukrainë dhe për fat të keq, në mënyrë tragjike, të tmerrshme, Presidenti Putin ka demonstruar se do të përfshijë shumë njerëz në këtë luftë, me kosto të lartë për Rusinë”, tha ai.
Blinken deklaroi kështu para gazetarëve në selinë e NATO-s, pas takimit që pati me sekretarin e përgjithshëm të aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, një ditë pasi kryediplomati amerikan kishte vizituar Kievin.
SHIKONI EDHE: Përveç Ukrainës, SHBA u ndan ndihmë ushtarake edhe disa vendeve të BallkanitMë herët, agjencitë ruse të lajmeve kishin raportuar se forcat e Moskës po rivendoseshin në rajonin e Harkivit, si kundërpërgjigje ndaj një kundër-ofensive ukrainase në shkallë të gjerë.
Agjencitë e lajmeve TASS dhe RIA Novosti shpërndanë video nga ministria e Mbrojtjes e Rusisë, që tregonin lëvizjen e pajisjeve ushtarake në një rrugë të asfaltuar, disa me flamuj rusë dhe me shkronjën "Z", një simbol i fushatës ushtarake të Rusisë.
Zyrtari lokal i instaluar nga Moska, Vitaliy Gançev, tha se "beteja të ashpra" ishin duke u zhvilluar pranë Balakliya, një qytet në rajonin e Harkivit, që Ukraina tha se e kishte rimarrë të enjten.
Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm, tha më 8 shtator se pushtimi rus i Ukrainës është një dështim ushtarak, pasi forcat e Moskës që kanë arritur vetëm "sukses të vogël taktik në pjesë të ndryshme të Ukrainës lindore".