Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri thirrje për “hapa urgjent” për të qetësuar dhunën në konfliktin izraelito-palestinez, pasi zhvilloi takime të nivelit të lartë në Jerusalem. Ai pritet të qëndrojë edhe në Ramallah, ku do të takohet me liderin e palestinezëve, Mahmud Abbas.
Kryediplomati amerikan udhëtoi në Jerusalem, pasi paraprakisht në Kajro, zhvilloi takim me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi.
Izraeli është përballur të premten me një sulm në një sinagogë ku janë vrarë të paktën shtatë civilë, një ditë pasi ushtria izraelite kreu një bastisje në Bregun Perëndimor, ku u vranë dhjetë palestinezë.
Pas bisedimeve me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Blinken u bëri thirrje “të gjitha palëve që tani të ndërmarrin hapa urgjentë për të rikthyer qetësinë dhe për të shtensionuar situatën”.
“Ne duam të sigurohemi se ka një mjedis ku ne, shpresoj, në një pikë, të krijojmë kushtet ku mund të nisim të rivendosin ndjenjën e sigurisë si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët”, tha ai.
Më 27 janar, shtatë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën kur një person i armatosur hapi zjarr pranë një sinagoge në Jerusalemin Lindor.
Ky sulm ka pasuar sulmin vdekjeprurës të një dite më parë, më 26 janar, nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor. Bastisja në një kamp refugjatësh në Xhenin u shndërrua në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjetë u vra në përleshje në një lokacion tjetër.
- Rritet numri i viktimave pas sulmit të armatosur në Jerusalemin Lindor
- Izraeli arreston 42 persona pas sulmit në sinagogën e Jerusalemit
- Nëntë palestinezë të vrarë në bastisjet izraelite në Xhenin
Sulmi thuhet se ka rritur frikën për një spirale dhune, një ditë pas bastisjes më vdekjeprurëse të Izraelit në Bregun Perëndimor në vitet e fundit.
"Ne kemi parë sulme të tmerrshme terroriste në dy ditët e fundit dhe ne i dënojmë ato", i tha Blinken kanalit televiziv saudit Al Arabiya derisa ishte në Kajro.
"Gjëja më e rëndësishme në terma afatshkurtër është të përpiqemi të kemi pak qetësi", tha ai, duke shtuar se donte të fliste me liderët e të dyja palëve dhe "të dëgjonte gjithashtu nga njerëzit që preken nga kjo në jetën e tyre të përditshme".
Në gjakderdhjen e fundit, forcat izraelite qëlluan për vdekje një palestinez në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë - palestinezi i 35-të i vrarë këtë muaj, sipas një raporti të AFP-së, bazuar në burime zyrtare nga të dyja palët.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë historikisht drejtimin në diplomacinë e Lindjes së Mesme.
Egjipti është një ndërmjetësues kyç midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ky shtet, po ashtu, ka arritur të mbajë raporte të mira me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pavarësisht se Uashingtoni ka shprehur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Kajro.
SHIKONI EDHE: Blinken me thirrje për ndalje të dhunës gjatë vizitës në Lindjen e MesmeBlinken do të zhvillojë takimin e parë sy më sy me kryeministrin Benjamin Netayahu pasi ai u kthye në pushtet në Izrael, duke udhëhequr qeverinë më të djathtë në historinë e këtij shteti.
"Spiralja e vdekjes"
Ngjarjet e fundit kanë rritur shqetësimin ndërkombëtar.
Papa Françesku dënoi të dielën "spiralen e vdekjes".
Presidenti francez, Emmanuel Macron, u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin një "spirale dhune".
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bëri thirrje për "përgjegjësi maksimale" nga të gjitha palët.
Vizita e Blinkenit në Izrael është pjesë e përpjekjeve të administratës Biden për t'u angazhuar shpejt me Netanyahun, i cili kishte marrëdhënie të tensionuara me administratën e mëparshme demokrate nën Barack Obamën.
Blinken pritet të përsërisë mbështetjen e SHBA-së për një shtet palestinez, një perspektivë për të cilën ka pak pritje që të avancojë nën qeverinë e re izraelite.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinkeni do të bënte thirrje për ruajtjen e status quo-së në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, e cila është e shenjtë, si për hebrenjtë, ashtu edhe për myslimanët.
SHIKONI EDHE: Shqetësime në rritje për përshkallëzim të situatës në IzraelTensionet mes Izraelit dhe palestinezëve
Tensionet rriten shpesh në mes të Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili e ka luftuar Izraelin disa herë.
Palestinezët në Gaza dhe në Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit.
Izraeli, në anën tjetër, thotë se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.
Një ndër pikat kyçe të mospajtimeve mes dy palëve ka të bëjë me Jerusalemin.
Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.
Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht.