Vendimi i Iranit për t’ua ndaluar qasjen disa inspektorëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara sugjeron se ky vend nuk është i interesuar për të qenë palë e përgjegjshme për programin e vet bërthamor, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Këto komente sugjerojnë se Uashingtoni është skeptik për dëshirën e Teheranit që të angazhohet seriozisht në kufizimin e programit bërthamor që e zotëron.
Të shtunën, udhëheqësi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike e ka dënuar vendimin e Iranit për t’ua ndaluar inspektorëve qasjen në shtet, duke e penguar aktivitetin mbikëqyrës në Teheran.
Kjo agjenci është përgjegjëse për të verifikuar nëse Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të arritur mes Teheranit dhe fuqive botërore.
Marrëveshja parasheh kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Raisi kërkon lehtësim të sanksioneve amerikanePërpjekjet për ringjallje të marrëveshjes – nga e cila ish-presidenti amerikan Donald Trump i ka larguar Shtetet e Bashkuara më 2018 – kanë dështuar vitin e kaluar, dhe Uashingtoni ka tentuar të gjejë mënyra tjera për ta kufizuar programin iranian.
“Ne kemi tentuar të punojmë indirekt me Iranin, si dhe me partnerë evropianë, madje edhe me Rusinë dhe Kinën, për të parë nëse mund ta bëjmë Iranin që ta respektojë marrëveshjen bërthamore… mirëpo Irani nuk e ka bërë ose nuk dëshiron të veprojë ashtu”, u ka thënë Blinken gazetarëve.
Vendimi i Teheranit për inspektorët lejohet. Shtetet, në përgjithësi, mund ta përdorin veton ndaj inspektorëve që dëshirojnë t’i vizitojnë zonat bërthamore, sipas një Traktati për Mospërhapje.