Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se ndërmjetësit do të vazhdojnë të përpiqen të mbyllin një marrëveshje armëpushimi, pasi Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terrosite nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera - propozoi ndryshime të shumta në një plan të mbështetur nga SHBA-ja, prej të cilave ai tha se disa ishin "të zbatueshme" dhe disa jo.
Blinken nuk shpjegoi se çfarë ndryshimesh kërkon Hamasi, por ai tha se ndërmjetësit - Katari, Egjipti dhe SHBA– do të vazhdojnë të përpiqen “të mbyllin këtë marrëveshje”.
Ai ia vuri përgjegjësinë Hamasit, duke e akuzuar atë për ndryshimin e kërkesave.
“Hamasi ka propozuar ndryshime të shumta në propozimin që ishte në tryezë... Disa nga ndryshimet janë të zbatueshme, disa jo”, u tha Blinken gazetarëve në Katar.
"Unë besoj se ato (dallimet) janë të kalueshme, por kjo nuk do të thotë se ato do të kapërcehen sepse në fund Hamasi duhet të vendosë".
Komentet nga Blinken erdhën pasi Hezbollahu i Libanit lëshoi një breshëri masive raketash në veri të Izraelit për t'u hakmarrë për vrasjen e një komandanti të lartë, duke përshkallëzuar më tej tensionet rajonale.
Hezbollahu, një aleat i Hamasit i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer zjarr me Izraelin pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës tetëmujore Izrael-Hamas dhe thotë se do të ndalet vetëm nëse ka një armëpushim në Gazë.
SHIKONI EDHE: Hamasi i përgjigjet planit për armëpushim në Gazë, kërkon disa ndryshimeHamasi tha të martën vonë se e ka dorëzuar te ndërmjetësit përgjigjen për propozimin e SHBA-së për armëpushim në Rripin e Gazës, duke i kërkuar disa ndryshime në marrëveshje.
Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha, i tha gazetës libaneze ElNashra se "ndryshimet" e kërkuara nga grupi synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.
Propozimi i shpallur nga presidenti amerikan, Joe Biden, përfshin këto dispozita.
Ndërsa SHBA-ja thotë se Izraeli e ka pranuar propozimin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dhënë deklarata kontradiktore, duke thënë se Izraeli është ende i vendosur në qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin.
Blinken, në vizitën e tij të tetë në rajon që nga fillimi i luftës, tha se marrëveshja në tryezë ishte "praktikisht identike" me atë të Hamasit të paraqitur më 6 maj.
Duke folur së bashku me Blinken, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani tha se "ne kemi parë që sjellja nga të dyja palët në raste të ndryshme ishte kundërproduktive ndaj përpjekjeve”.
SHIKONI EDHE: Raporti i OKB-së: Izraeli dhe Hamasi kryen krime lufte në GazëKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër.
Rusia abstenoi.
Propozimi i presidentit amerikan, Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.
Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.
Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.
Propozimi ka rritur shpresat për t’i dhënë fund luftës tetëmujore, gjatë të cilës bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Gazë i kanë vrarë mbi 37.000 palestinezë dhe i kanë detyruar rreth 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të largohen nga shtëpitë e tyre.
Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.