Blerjet online, një trend mjaft i përhapur në gjithë botën, gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë, po shënon rënie. Viti 2016 shënon herën e fundit kur kjo formë blerjeje ka pasur rritje në krahasim me vitin paraprak (2015).
Më 2016, sipas të dhënave të prezantuara nga Posta e Kosovës, ka pasur rreth 250 mijë dërgesa online, kurse një vit më vonë, më 2017, numri i tyre ka qenë rreth 230 mijë.
Trendi në rënie e ka përcjellë edhe vitin 2018, gjatë të cilit numri blerjeve online, përmes Postës së Kosovës, ka qenë 220 mijë ose 4 për qind më pak se viti paraprak.
SHIKONI EDHE: Qytetarët e Kosovës, mbi 200 mijë blerje onlineRifat Alaj, menaxher i Qendrës Transite Postare, në Postën e Kosovës, tregon se në katërmujorin e parë të këtij viti ka përgjysmë më pak blerje online, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Gjatë vitit 2017, totali i dërgesave online ishte 230 mijë e 492 copë, ndërsa gjatë vitit 2018 totali i dërgesave online ishte 220 mijë e 763 copë. Pra, në periudhën kohore janar – dhjetor 2018, vëllimi fizik ishte më i vogël për 9 mijë e 729 copë dërgesa online, ose 4 për qind më pak se në vitin 2017.Kurse, në katërmujorin e parë të këtij viti, janar – prill 2019, vëllimi fizik është 49 mijë e 677 copë dërgesa online, që krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2018 (janar – prill 2018, që ishte 92 mijë e 145 copë), në këtë vit është shumë më i vogël, për 42 mijë e 468 copë, ose 54 për qind më pak”, tregon Alaj.
SHIKONI EDHE: Rritet trendi i blerjeve nëpërmjet internetitLegjislacioni në fuqi parasheh që dërgesat e blerjeve online, të cilat tejkalojnë vlerën 22 euro, duhet t’i nënshtrohen zhdoganimit. Nga procesi i zhdoganimit të produkteve të blera në këtë formë, sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, vitin e kaluar, ky institucion ka arkëtuar rreth 270 mijë euro.
“Numri i dërgesa të ndalura për zhdoganim (gjatë vitit 2018) është 11 mijë e 500. Të zhdoganuara janë 7 mijë e 110 dërgesa dhe të hyrat e inkasuara nga këto dërgesa me procedurat e zhdoganimit të thjeshtëzuar janë 183 mijë e 715 euro dhe me procedurë janë zhdoganuar 390 dërgesa dhe të hyrat e inkasuara nga këto dërgesa me procedura e zhdoganimit IM4 (importit të rregullt) janë 86 mijë e 850 euro”, ka thënë Stavileci përmes një përgjigje me shkrim.
Ndërsa, në katërmujorin e parë të këtij vitit, nga blerjet online Dogana ka arkëtuar më shumë se 76 mijë euro.
“Numri i blerjeve online për periudhën janar-prill 2019 është 3 mijë e 296 dërgesa të ndalura për zhdoganim, të zhdoganuara janë 2 mijë e 320 dërgesa dhe të hyrat e inkasuara nga këto dërgesa me procedura e zhdoganimit të thjeshtëzuar janë 58 mijë e 136 euro, dhe me procedurë janë zhdoganuar 140 dërgesa dhe të hyrat e inkasuar nga këto dërgesa me procedurë të zhdoganimit IM4 janë 18 mijë e 434 euro”, ka shpjeguar Stavileci.
SHIKONI EDHE: Mbi 350 mijë euro nga blerjet onlinePikërisht limiti i ulët tarifor i zhdoganimit të dërgesave të blerjeve online (deri në 22 euro), krahas “rritjes së tregut të zi online”, sipas Rifat Alajt, përbëjnë faktorët kryesorë në rënien e vazhdueshme të kësaj forme blerjeje në Kosovë.
Alaj vlerëson se ky limit është tepër i ulët në krahasim me vendet e rajonit, ku, sipas tij, limiti shkon deri në 150 euro.
“Siç po shihet, vazhdimisht ka rënie nga viti në vit. Ndër faktorët kryesor të kësaj rënieje janë: ‘tregu i zi i blerjeve online’, që po lulëzon gjithandej nëpër Kosovë dhe ‘limiti i ulët tarifor i vlerës së zhdoganimit të dërgesave i përcaktuar nga Dogana e Kosovës’, e që është deri në 22 euro, klienti lirohet nga zhdoganimi. Kurse mbi 22 euro, klienti duhet të paguajë zhdoganimin e dërgesës, që bashkë me TVSh-në bëjnë 29.5 për qind të vlerës së dërgesës.”
“Për dallim nga Kosova, krahasuar me shumë vende të rajonit, limiti i vlerës së tarifës së zhdoganimit është më i përshtatshëm për klientët dhe shkon edhe deri në 150 euro, që do të thotë deri në këtë limit tarifor, klienti lirohet nga zhdoganimi i dërgesës, që te ne është shumë i ulët”, thekson Alaj.
SHIKONI EDHE: Amazon lehtëson blerjet për konsumatorët ndërkombëtarëMenaxheri i Qendrës Transite Postare, Rifat Alaj, thekson se vendet nga të cilat kosovarët blejnë më së shumti online janë Kina, Hong Kongu dhe Singapori, ndërsa në përqindje më të vogël edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania.
Ai shton se pjesa dërmuese e dërgesave arrijnë përmes Postës Shqiptare (Postës së Shqipërisë), për shkak se vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Për t’u siguruar që porosia e tyre do të arrijë në Kosovë, Alaj udhëzon qytetarët që të shmangin dërgesat përmes Serbisë.
“Pjesa dërmuese e rrugëtimit të këtyre dërgesave bëhet përmes rrugëve ajrore. Rreth 90 për qind e tyre në Kosovë arrijnë indirekt përmes Postës Shqiptare. Kjo, sepse shtetet si Kina, Hong Kongu, Singapori etj., meqë nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës, Kosova nuk figuron fare si shtet në listën e tyre dhe se pikërisht për këtë arsye, dërgesat duhet të orientohen përmes shtetit shqiptar, i cili më pastaj i riorienton për në Kosovë.”
“Përndryshe, nëse nuk do të orientoheshin në këtë mënyrë, këto shtete Kosovën e kanë në kodin postar shtetëror të Serbisë dhe dërgesat mund të devijojnë rrugëtimin për Serbi dhe të mos vijnë fare në Kosovë. Bazuar në këtë fakt, adresimi nga dërguesit me rastin e porosive nga këto shtete, duhet të bëhet në këtë mënyrë: emri dhe mbiemri, rruga dhe qyteti, shteti - Kosova dhe krejt në fund të shkruhet ‘via-Albania”, shton ai.
Alaj thotë se dërgesat e blerjeve online, përmes Postës së Kosovës, janë të sigurta dhe se qytetarët e kanë edhe mundësinë e gjurmimit të dërgesave të tyre.
Ndryshe, produktet që blihen më së shumti online, sipas Alajt, janë pajisjet e ndryshme elektronike, veshmbathjet dhe suplementet e ndryshme, e në masë shumë të vogël edhe gjëra të ndryshme ushqimore.