Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak

Një veturë e policisë maqedonase. (Fotografi ilustruese)

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

SHIKONI EDHE: MPJD: Shkupi nuk do ta ekstradojë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së

Autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD).

Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas arratisjes së Ramadanit, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se kërkojnë shpejgim nga autoritetet maqedonase për këtë rast. Ai e cilësoi si "skandaloz" arratisjen nga arresti shtëpiak të Ramadanit.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrar dhe të padrejtë arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

SHIKONI EDHE: Në Serbi po kryhen arrestime për akuza të panjohura në Kosovë

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.