Presidenti autoritar bjellorus, Alexander Lukashenka, pritet që të mërkurën ta vizitojë Rusinë dhe të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.
Gjatë vizitës në kryeqytetin rus, Lukashenka dhe Putin do të zhvillojnë bisedime mbi "çështjet aktuale dypalëshe dhe ndërkombëtare", thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Ndër çështjet dypalëshe është vendosja e armëve bërthamore taktike në territorin bjellorus. Putini më 26 mars kishte deklaruar se deri në korrik Moska mund t'i zhvendosë armët bërthamore taktike në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë.
SHIKONI EDHE: A do t'i zhvendosë Rusia armët bërthamore taktike në Bjellorusi?Çështjet ndërkombëtare ka të ngjarë të përfshijnë luftën në Ukrainë, dhe një reagim ndaj pranimit të Finlandës në NATO, proces i cili u përfundua zyrtarisht të martën.
Bjellorusia e ka lejuar Rusinë që ta përdorë territorin e saj për nisjen e luftës në Ukrainë, vitin e kaluar.
Të dyja shtetet kanë mbajtur edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe e kanë rritur bashkëpunimin në vitin e fundit.
Perëndimi e ka goditur Minskun me disa valë sanksionesh, për shkak të qasjes bjelloruse në shtypjen e disidentëve dhe rolit të saj në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Më 19 dhjetor 2022, Lukashenka dhe Putini janë takuar në Minsk - takim i rrallë i tij që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, në shkurt të po atij viti.
SHIKONI EDHE: Putin dhe Lukashenka takohen në MinskPutini e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke e goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.