Një gjykatë në Minsk e ka cilësuar kompaninë Tut.by Media si "ekstremiste" dhe ka ndaluar funksionimin e saj në Bjellorusi. Kjo është në vazhdimësi e goditjeve të këtij shteti ndaj mediave të pavarura dhe gazetarëve.
Gjykata Supreme e Bjellorusisë tha më 14 qershor, se vendimi i marrë nga Gjykata Ekonomike e Minskut hyn në fuqi menjëherë. Aty nuk përshkruhen arsyet e vendimit të gjykatës.
Gushtin e kaluar, gazeta tut.by dhe faqja mediatike zerkalo.io - të dyja në pronësi të kompanisë Tut.by Media, u bllokuan nga autoritetet bjelloruse, të cilat gjithashtu ngrinë llogaritë bankare të kompanisë dhe arrestuan një numër punonjësish mbi supozimin për evazion fiskal.
SHIKONI EDHE: Shtohen sanksionet ndaj regjimit të BjellorusisëTut.by ishte një nga faqet më të rëndësishme në internet, e cila mbulonte protestat pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në gusht 2020, që i dhanë liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka një mandat të gjashtë në detyrë, pavarësisht akuzave për mashtrim.
Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, një gjykatë bjelloruse e ka cilësuar si ekstremist kanalin e Telegramit të shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Bjellorusia e etiketon “ekstremist” kanalin e REL-it në TelegramUebsajti i Radios Evropa e Lirë është bllokuar brenda Bjellorusisë që nga 21 gushti i vitit 2020 ndërsa akreditimi i të gjithë gazetarëve lokalë që punojnë për media të huaja, përfshirë REL-in, u anulua nga autoritetet bjelloruse në tetor të vitit 2020.
Autoritetet bjelloruse kanë mbyllur disa media, duke përfshirë kanalin televiziv Belsat të financuar nga Polonia, gazetën e njohur Nasha Niva, zyrën e Radios Evropa e Lirë në Minsk dhe dhjetëra botime rajonale, për mbulimin e tyre të pavarur të regjimit të Lukashenkas.