Në zemër të Bjellorusisë: Vizatime prekëse nga një i burgosur politik

Ekspozita "Në zemër të Bjellorusisë" e të burgosurit politik Paval Sieviaryniec , e prezantuar në Varshavë të Polonisë.

Ekspozita e quajtur “Në zemër të Bjellorusisë” në Varshavë, shfaqi vizatimet e të burgosurit politik Paval Sevyarynets, të bëra gjatë burgosjes së tij.

Veprat e artit, të marra nga letrat që ai i dërgoi familjes së tij, janë portrete prekëse dhe skena idilike të Bjellorusisë.

Sevyarynets, i cili është njohur nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si i burgosur politik, ka përdorur lapsa dhe fleta të fletoreve për vizatimet, të cilat më vonë u zmadhuan për ekspozitën.

Pamje nga ekspozita e të burgosurit politik Paval Sieviaryniec në Varshavë të Polonisë

Sevyarynets, 48-vjeçar, i cili është shkrimtar dhe politikan opozitar, është po ashtu bashkëkryetar i partisë së paregjistruar bjelloruse, Demokracia Kristiane. Ai është dënuar me shtatë vjet burgim nga një gjykatë rajonale në qytetin lindor të Mahiljou në maj 2021 me akuzën e "organizimit të trazirave masive" lidhur me zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të vitit 2020.

Alyaksandr Lukashenka vazhdoi të mbajë pushtetin pas zgjedhjeve, por rezultatet u konsideruan gjerësisht se ishin manipuluar. Si rezultat, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vende të tjera kanë refuzuar të njohin Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë.

Një vizatim i dedikuar për djalin e tij, Frantsishak

Vizatime nga burgu

Ekspozita shfaq rreth 70 vizatime, duke përfshirë portrete të familjes së Sevyarynets, kisha bjelloruse, peizazhe dhe mesazhe të përzemërta për djalin e tij. Pavarësisht sfidave të izolimit, Sevyarynets përdor vizatimin për të ndarë histori dhe për të mbajtur një lidhje me familjen e tij.

Familja Sevyarynets: Kastus (babai), Tatsyana (nëna), Volha (gruaja) dhe Frantsishak (djali)

Një tjetër vizatim i Paval Sevyarynets

Vizatimi i parë i bërë në ditën e tretë të arrestimit të tij titullohet “Mini Cooper për Francis”, data e shënuar nga vet Sevyarynets është 10 qershor 2020.

Sevyarynets vizatoi gjithashtu një autobus elektrik bjellorus dhe vetura të tjera.

Disa vizatime të tjera nga Paval Sieviaryniec

Gjatë izolimit, Sevyarynets mësoi se i kishte vdekur babai, i cili vdiq më 1 tetor 2021.

Më 2 tetor, ai në nderim të babait të tij bëri me vizatimin të cilin e titulloi: "Portretin e babait tim: shkrimtarit Kastus Sevyarynets".

Shtëpia verore e vizatuar nga Paval Sieviaryniec

Vizatimi i fundit i marrë nga familja e tij titullohet ‘Shtëpia verore’, e cila mendohet të jetë vizatuar mes datës 27 shkurt dhe 1 mars 2022.

Ky vizatim ka të shënuar mesazhin: "Mirupafshim, babi! Do të fitojmë, patjetër". Në këtë vizatim shihet një burrë i moshuar me grushtin e tij të mbajtur lart, ndërsa në veshjen e bardhë ka të vizatuar një zemër të kuqe.

Pavarësisht se kishte mbaruar shkollën e artit, Sevyarynets nuk kishte vizatuar për një kohë të gjatë, sipas gruas së tij, Volha, e cila tha se ishte magjepsur kur kishte parë se burri i saj po i riktheheshin gradualisht aftësitë artistike.

Disa vizatime të tjera

Reagimet e vizitorëve

Andrie, një nga vizitorët e ekspozitës, tha: "Si është e mundur të krijohen imazhe kaq interesante pas hekurave pa një këmbalec, letër normale ose mjete të veçanta vizatimi? Është për të ardhur keq që nuk mund ta pyes artistin".

Vizatime shtesë të të burgosurit politik Paval Sevyarynets

Gruaja e Sevyarynets për mediat lokale bëri publik edhe sekretin e saktësisë së vizatimeve.

"Njerëzit i dërguan Pavalit shumë kartolina me peizazhe bjelloruse, nga të cilat ai rikrijoi kishat", tha Volha.

Vizatime nga ekspozita

Gjatë hapjes së ekspozitës, politikanë, miq dhe bashkëpunëtorë ndanë kujtimet e tyre për Sevyarynets, ndërsa theksuan rëndësinë e ekspozimit të veprave nga të burgosurit politikë.

"Është mirë që kujtojmë të burgosurit politikë. Gjëja më e mirë që mund të tregojmë është puna e tyre. Kjo do të thotë që njerëzit nuk thyhen mbrapa grilave, ata vazhdojnë të krijojnë gjëra të bukura. Është e trishtueshme që gjithnjë e më shumë ka policë të burgosur politikë", tha Tatsyana, një nga organizatorët.

Viachaslau Siuchyk një nga organizatorët

"Të vizatosh një pikturë të tillë në një nga burgjet e Lukashenkas është një aftësi. Tani, kjo nuk është më e mundur. Sistemi është bërë më i ngurtë. Dhe kjo ekspozitë e veprave të të burgosurit politik Paval Sevyarynets duhet të ekspozohet në çdo parlament në Evropë”, tha figura opozitare bjelloruse, Vyachaslau Siuchyk.

Libri i Paval Sevyarynets "I Love Bjellorusia" dhe kartolinat me veprat e tij artistike janë në shitje. Të ardhurat nga këto shitje do të shkojnë për ndihmën e të burgosurve politikë dhe personave me aftësi të kufizuara.

Përgatiti:Arta Sopi