Bjellorusisë dhe Polonisë u kërkohet të adresojnë “situatën e tmerrshme” në kufij

Një ushtar polak duke ruajtur zonën kufitare me Bjellorusinë.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se Bjellorusia dhe Polonia janë duke endur migrantët poshtë e lart rreth kufijve të tyre, dhe shumë herë ata përballen me mot të ftohtë, pa ushqim, ujë të pastër apo strehë të sigurt.

Kjo agjenci e OKB-së u ka bërë thirrje dy kombeve që të adresojnë “situatën e tmerrshme” dhe të përmirësojnë “kushtet e rënda” për personat në kufi, duke thënë se disa prej tyre janë duke u kërcënuar apo rrahur nga forcat bjelloruse të sigurisë.

Bashkimi Evropian e akuzon liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, se është duke marrë migrantët në Bjellorusi dhe është duke i shtyrë ata më pas në kufi me vendet e BE-së si Polonia, Letonia dhe Lituania, si shenjë hakmarrjeje për sanksionet që i ka vënë blloku evropian për shtypjen e protestave, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar.

Perëndimi e konsideron të manipuluar atë proces zgjedhor.

SHIKONI EDHE: Qeveria polake: Rreth 7 mijë migrantë ndodhen në Bjellorusi

Refugjatët dhe migrantët, të cilët janë intervistuar nga një ekip i OKB-së në Poloni në nëntor dhe dhjetor, kanë thënë se janë përballur me dhunë dhe kërcënime nga Bjellorusia, si dhe kanë qëndruar të uritur në të ftohtë, ka thënë Elizabeth Throssell nga OKB.

“Personat e intervistuar kanë përshkruar kushtet e rënda në të dyja anët e kufijve, me pak qasje në ushqim, ujë të pastër, strehim dhe shpesh në temperatura të ulëta”, ka thënë Throssell.

Ajo ka shtuar se shumica e tyre, sa kanë qenë në Bjellorusi, janë rrahur apo janë kërcënuar nga forcat e sigurisë.

“Disa të intervistuar kanë thënë se forcat bjelloruse të sigurisë kanë kërkuar para për ujë dhe ushqim”, ka thënë Throseell.

Kriza me migrantë në kufirin Bjellorusi - Poloni

Bjellorusia nuk e ka pranuar se ka shkaktuar krizën në kufi dhe ka fajësuar Bashkimin Evropian për katastrofë humanitare në zonën afër kufijve.

Zyra e OKB-së për të Drejta të Njeriut ka thënë se të dyja shtetet kanë parandaluar qasjen në zonën kufitare për stafin e saj.

Në Poloni, ekipi i OKB-së ka intervistuar njerëz që kanë kaluar kufirin në muajt e kaluar, derisa në Bjellorusi nuk i është mundësuar qasja.

Një zëdhënës për shërbimet speciale të Polonisë ka thënë se shteti i tij është duke vepruar brenda ligjit dhe se janë marrë veprime për të mbrojtur kufijtë e shtetit.

“Rruga e migrimit, e kontrolluar dhe organizuar nga shërbimet bjelloruse, është mjeti i vetëm që është përdorur nga regjimi në Minsk”, ka thënë Stanislaw Zaryn.

SHIKONI EDHE: Bjellorusia po përpiqet të destabilizojë Evropën, thotë kryeministri polak

Polonia ka marrë masa ndaj krizës me migrantë, duke përfshirë ndërtimin e një ndalese me gjemba dhe angazhim të mijëra ushtarëve në kufirin rreth 400 kilometra me Bjellorusinë.

Throssel ka thënë se shumë migrantë dhe refugjatë kanë kaluar kufirin disa herë në të dyja drejtimet, për shkak të “praktikave të të dyja shteteve që kanë shtyrë njerëzit në anën tjetër të kufirit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli