Përballë një virusi të panjohur që po merrte jetë njerëzish, gjëja e fundit që kishte në mendje Bashkim Osmani ishte biznesi që e ka themeluar dy dekada më parë. Tani, pas dhjetë muajve të pandemisë i përballur me shumë sfida, ai ia doli ta mbajë gjallë biznesin dhe të mos e largojë asnjë punëtor nga puna.
“Shëndeti ishte mbi të gjitha, por nuk guxonim të linim anash edhe kompaninë, pasi që nga ajo varej ekzistenca e shumë familjeve të punëtorëve të punësuar në kompaninë tonë”, thotë Osmani, pronar i kompanisë “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve.
Kompania “Laberion” e nisi punën në vitin 2000 me 12 të punësuar. Tani ka të punësuar 76 punëtorë të rregullt dhe deri në 60 punëtorë sezonalë dhe arrin të eksportojë gati në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
Masat e para për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë, të cilat u morën nga Qeveria e Kosovës qysh me paraqitjen e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, për dy muaj mbyllën komplet disa sektorë të ekonomisë, në mesin e tyre edhe kompaninë “Laberion”.
“Në mungesë të punës po detyrohesha t’i liroja nga puna punëtorët, por nuk e bëra këtë. Nëntëdhjetë për qind e punëtorëve të punësuar janë kryefamiljar dhe kanë obligime, kanë kredi dhe nuk i largova pasi që kisha kapital të qëndrueshëm financiare dhe e dija që në një moment tjetër, punëtorët do të mund të ma kompensonin këtë”, tregon Osmani për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Vite për t'u rimëkëmbur ekonomiaPunëtorët, thotë Osmani, i ka parë çdo herë si themelin dhe suksesin e kompanisë dhe me ndihmën e tyre, ai thotë ashtu se arriti të krijojë kompaninë por edhe tejkalimin me sa më pak humbje të situatës me pandeminë.
“Nuk e kishim menduar asnjëherë një situatë të tillë. Por, kishim një fond të quajtur ‘fond i zi’, të cilin e kishim paraparë për ta përdorur për situata të jashtëzakonshme”, thotë Osmani.
Komision për respektim të masave
Kompania, pas lirimit të disa masave, filloi punën me kujdes të shtuar.
Osmani tregon se ngritën një komision të përbërë nga tre persona, i cili do të merrej ekskluzivisht me mbikëqyrjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ky kujdes i shtuar, thotë ai, bëri që deri më tani, asnjë punëtor i kësaj kompanie të mos infektohet me koronavirus dhe në këtë mënyrë puna filloi pa ndonjë problem.
Humbjet në biznes po ndiheshin, por pas lirimit të masave, ndonëse jo ashtu siç e kishin planifikuar ata, por po arrinin t'ia ë ja dilnin disi.
Muajt korrik dhe gusht në një situatë normale, janë muajt kur kjo kompani ka më së shumti shitje, pasi siç thotë Osmani, janë muajt kur në Kosovë vijnë për pushime qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Por, ishin pikërisht tani këta muaj që shitja kishte rënë dhe atë deri në mbi 20 për qind.
Gjatë muajve të verës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit ishte i ulët. Ata kishin anuluar vizitat në Kosovë.
“Çfarëdo ndihme për bizneset është e mirëseardhur".
Humbjet që kjo kompani ka llogaritur që mund të jenë në vitin 2020 janë deri në pesë milionë euro, por që nuk do të jenë shumë, thotë Osmani, pasi që gjithçka do të kompensohet në vitet në vijim.
Ndihma nga shteti, thotë ai, do të duhej të ishte më e madhe pasi që ishte e pamjaftueshme dhe e vonuar.
Osmani thotë se shteti nuk veproi me kohë, pati vonesa, në veçanti në miratimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike i cili u votuar në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor, pesë muaj pas miratimit të tij në qeveri.
SHIKONI EDHE: Humbje miliardëshe, ndihmë milionësheKy ligj, i cili u mundëson përfitim për qytetarët dhe bizneset në vlerë prej rreth 600 milionë, thotë Osmani, do të jetë një shpresë edhe për biznesin e tij.
“Çfarëdo ndihme për bizneset është e mirëseardhur për shkak se ato në mënyrë indirekte kthehen te qeveria sepse paguhen taksat, paguhen obligimet tjera”, thotë Osmani.
Rënia e qarkullimit të bizneseve po dëmtonte buxhetin
Me rënien e bizneseve, u dobësua edhe ekonomia e vendit.
Qarkullimi më i vogël i bizneseve bëri që të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) të shënojnë rënie.
Sipas të dhënave të ATK-së, nga marsi deri në tetor ka pasur rënie të qarkullimit 1.2 miliard euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga periudha janar-nëntor, ATK-ja ka inkasuar 426.6 milionë euro, 39 milionë më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Sipas ATK-së, sektorët që më së shumti janë atakuar gjatë kësaj periudhe janë sektorët e argëtimit dhe rekreacionit, sektori i patundshmërisë dhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor.