Një numër i madh i bizneseve në Kosovë vazhdojnë t’iu shmangen detyrimeve shtetërore. Numri i bizneseve, që i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve kompetente për t’u pajisur me arka fiskale, vazhdon të mbetet i ulët.
Nga mbi 150 mijë biznese sa thuhet se janë të regjistruara në Kosovë vetëm rreth 30 mijë prej tyre janë të fiskalizuara.
Procesi i vendosjes së arkave fiskale ka filluar në vitin 2010 dhe qëllimi nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte evitimi i evazionit fiskal.
Valentina Bytyçi - Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projekte që zbaton ATK-ja dhe se ky proces është në rrugë të mirë të zbatimit.
“Procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg, si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve. Numri i bizneseve të fiskalizuara që nga viti 2010 e deri më sot është 27,102 - kurse pajisje fiskale që operojnë në tregun e Republikës së Kosovësjanë 35,408”, bën të ditur Sefa- Bytyçi.
Zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër evazionit fiskal. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit.
Ndërkohë, raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kishin vënë në pah se evazioni fiskal në Kosovë arrin në mbi 30 për qind.
Mos-fiskalizimi i të gjitha bizneseve nga përfaqësues të shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve, thuhet se po shkakton konkurrencë të pabarabartë në tregun e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospajisja e bizneseve me arka fiskale i ka pamundësuar shtetit të Kosovës që të ketë një pasqyrë reale të qarkullimit dhe t’i mbledhë të gjitha të hyrat për buxhetin e shtetit.
Kjo, shton Zeka, ka pamundësuar luftimin e ekonomisë joformale.
“Duke pasur parasysh se vetëm gjysma e bizneseve aktive janë të pajisura me arka fiskale, atëherë kjo natyrisht se e dëmton ekonominë në krijimin e një situate, ku bizneset të cilat janë fiskalizuara dhe janë të disiplinuara në aspektin e pagesës së taksave, ndihen më të pabarabarta karshi bizneseve tjera, të cilat operojnë pa i nënshtruara të njëjtave detyrime ligjore”, thekson Zeka.
Ndërkohë, zyrtarë të ATK-së thonë se në rast se bizneset nuk fiskalizohen, vendosen gjoba konform ligjit. Vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1000 euro.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i paraqesin rastet kur hasin në kuponë jo-fiskal.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Sefa- Bytyçi, thotë se vetëm gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, përmes linjës së bashkëpunimit janë raportuar 192 raste, ku janë lëshuar 85 gjoba, në vlerë prej 92, 820 eurosh.
Ndërkaq, numri i rasteve të gjetura përmes kutisë së vërejtjeve është 127, kurse numri i gjobave për këto raste është 86 në vlerë prej 36,000 eurosh.