Asetet ruse të familjes së presidentit të Kazakistanit

Familja e Qasym-Zhomart Toqaevit (majtas) ka shumë lidhje të biznesit me Rusinë e Vladimir Putin, thuhet në një hulumtim të Radios Evropa e Lirë.

Kur trazirat e mëdha shpërthyen më herët gjatë këtij muaji në Kazakistan, në Azinë Qendrore, shumë analistë vlerësuan se këto trazira erdhën si pasojë e konflikteve midis mbështetësve të presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev dhe paraardhësit të tij, 81-vjeçarit Nursultan Nazarbaev.

Një hulumtim i kryer nga Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë dhe Current Time – një rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës – mbi asetet ruse të familjes së Toqaevit, ka nxjerr në pah se dikur janë ndërthurur interesat e biznesit të presidentit aktual të Kazakistanit dhe ish-presidentit të këtij shteti.

SHIKONI EDHE: Beteja për pushtet në Kazakistan

Një bashkëshorte misterioze dhe një divorc i shpejtë

Sipas ueb-faqes së Presidencës së Kazakistanit, Toqaev është i divorcuar dhe ka një djalë të quajtur Timur. Kur Toqaev u bë ushtrues i detyrës së presidentit më 2019, mediat kazake vunë në dukje se ai mbante një unazë martese, por unaza u zhduk nga gishti i tij brenda pak ditësh. Përafërsisht në të njëjtën kohë, mediat lokale thanë se bashkëshortja e presidentit në detyrë ishte qytetarja ruse Nadezhda Tokayeva. Sipas të dhënave publike, Tokayeva më 2005 ishte regjistruar në Moskë si një “sipërmarrëse private”, aktiviteti kryesor i së cilës ishte dhënia me qira e pasurive të paluajtshme.

Ky regjistrim ishte valid deri më 2009, por me një kërkim në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme ruse, numri i pasaportës që lidhet me Tokayevan është ende aktiv.

Më 2020 u raportua se në vitin 2011, Tokayeva ishte në listën e presidenteve të nderit të Shoqatës së Grave të Kombeve të Bashkuara. Në atë kohë, Toqaev kishte qenë Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe kreu i përfaqësimit të kësaj organizate në Gjenevë.

Nursultan Nazarbaev (majtas) më 2019 zgjodhi Qasym-Zhomart Toqaev në postin e presidentit të Kazakistanit.

Mediat kazake kanë spekuluar se Toqaev u divorcua me nxitim pasi u bë ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se bashkëshortja e tij kishte shtetësi ruse. Djali i Toqaevit, Timur u lind në vitin 1985 dhe si duket ai nuk ka pasur asnjëherë nënshtetësi ruse.

Në dhjetor të vitit 2021, Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit opozitar rus, Aleksei Navalny publikoi një raport që tregonte se autoritetet ruse kishin hequr emrat e shumë rusëve të fuqishëm nga data-bazat për pronat, duke i zëvendësuar këta emra me fjalët “Federata Ruse”. Ai raport theksonte se të dhënat e paredaktuara tregonin se edhe Nadezhda dhe Timuri ishin të regjistruar si pronarë të apartamenteve të mëdha në Moskë. Në data-bazën e redaktuar, pronësia e këtyre apartamenteve është e regjistruar nën fjalët “Federata Ruse”.

Hulumtimi i bërë nga REL-i dhe Current Time ka zbuluar se emërimi “Federata Ruse” fsheh pronësinë e disa pronave jashtë Moskës që më herët ishin të listuara në pronësi të Nadezhda Tokayevas. Një prej këtyre pronave është një shtëpi në një vendbanim prestigjioz në Abramtsevo, që u ble më 2008 nga familja e gazetarit nga Moska, Yevgeny Lavut dhe nga filmbërësja Yevgenia Gindilisa. Lavut i tha REL-it se gjatë asaj blerjeje, Tokayeva ishte ankuar se e kishte vështirë që ta ngrohte shtëpinë dhe se kishte plane që të transferohej në Krime.

Një djalë çuditërisht i suksesshëm

Hulumtimi i REL-it po ashtu zbuloi informacione lidhur me djalin e Toqaevit, Timurin. Sipas një raporti vjetor të vitit 2016 të kompanisë për zhvillimin e pasurive të paluajtshme Mayak, Timur Toqaev ishte anëtar i bordit të drejtorëve të kësaj kompanie. Kjo kompani më së shumti njihet për ndërtimin e kompleksit luksoz rezidencial Mayak, që gjendet në Khimki, në periferi të Moskës. Projekti për ndërtimin e këtij kompleksi zemëroi banorët lokalë, të cilët u njoftuan për këtë projekt më 2014, pasi i njëjti u ndërtua pranë një stadiumi futbolli, që është i qasshëm për publikun.

Në raportin vjetor të Mayak përfshihen edhe informacione që nuk janë raportuar më parë lidhur me Timur Toqaev. Aty thuhet se ai ka studiuar në College du Leman dhe Universitetin Webster në Zvicër si dhe ka diplomë për shkenca politike nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Jashtme ruse.

Disertacioni i tij në vitin 2009 për Akademinë Diplomatike titullohet: Strategjia e Republikës së Kazakistanit në marrëdhëniet me Perëndimin: Interesat kombëtare, prioritetet, drejtimet. Në këtë dokument prej 125 faqesh, Nazarbaev përmendet 112 herë.

“Rusia është aleatja e vetme e Kazakistanit”, thuhet në disertacion.

Sipas raportit të vitit 2016 të Mayak, kompania kishte 514 milionë rubla (7 milionë dollarë) në asete. Radio Evropa e Lirë dhe Current Time nuk kanë arritur të gjejnë raporte më të reja dhe nuk është e qartë nëse Timur Toqaev është ende i lidhur me këtë kompani. Megjithatë, raporti i vitit 2016 jep të dhëna shtesë për lidhjet e biznesit të Toqaevit, përfshirë edhe lidhjet e tij me figurat që shpesh lidhen me Nazarbaevin.

Dy klane kazake

Timur Toqaev figuron edhe anëtar i bordit të Fondacionit Bamirës Kemel Toqaev. Ky fondacion është emëruar për nder të babait të presidentit kazak Toqaev. Data-baza e bizneseve SPARK-Interfax po ashtu tha se Toqaev është bashkëpronar i dy kompanive të vogla të përfshira në analizat gjeologjike dhe teknike.

E njëjta data-bazë e ka listuar Timur Toqaevin edhe si bashkëpronar të firmës Salish, që më herët njihej me emrin Abi Petroleum Kepital. Kjo kompani së fundmi është shpërbërë. Sipas mediave kazake, Toqaev po ashtu ishte listuar si bashkëpronar kur kjo kompani ishte krijuar në vitin 2002. Atëbotë, Toqaev ishte vetëm 18 vjeç. Pak kohë pas themelimit, kjo firmë fitoi të drejtat për të zhvilluar fushën e naftës Gryadovoye në rajonin Atyrau.

Në atë kohë, Qasym-Zhomart Toqaev ishte larguar nga posti i kryeministrit dhe ishte emëruar ministër i Jashtëm. Bashkëpronar në Abi Petroleum Kepital ishte edhe Mukhamed Izbastin, djali i diplomatit kazak Temirtai Izbastin, që është burri i motrës së Qasym-Zhomart Toqaev.

Më 2005, Abi Petroleum Kepital urdhëroi kryerjen e studimeve gjeologjike për fushën e naftës Gryadovoye nga një kompani e quajtur Kazakhstankaspiishelf, që ishte në gjysmë-pronësi të Sat & Company. Sat & Company u themelua nga Kenges Rakishev, një prej biznesmenëve më me ndikim në Kazakistan, i cili nga mediat është quajtur “bankieri i Nazarbaevit”.

Biznesmeni kazak, Kenges Rakishev.

Më 2012, Abi Petroleum Kepital kishte raportuar për 50 milionë dollarë fitim, por dy vjet më vonë raportoi se po operonte me humbje dhe më 2020 kjo kompani u mbyll.

Sat & Company, megjithatë, është e lidhur me firmën në Moskë, Mayak që më 2016 e listoi Timur Toqaevin si anëtar të bordit. Shefi ekzekutiv i kompanisë Mayak është Makhmudzhon Ermatov, që ka në bashkëpronësi dhe udhëheq dhjetëra kompani, kompani të cilat janë të regjistruara në të njëjtën adresë në Moskë. Që të gjitha kompanitë e kanë fjalën “Sat” në emrin e tyre, dhe shumica e tyre kanë kryesisht hisedarë të njëjtë. Një prej këtyre kompanive, Sat Oil është e listuar si “partner” në ueb-faqen e kompanisë Mayak. Mediat kanë raportuar se këto kompani janë të kontrolluara direkt dhe indirekt nga Rakishev, biznesi kryesor i të cilit në Kazakistan ishte Sat & Company, kompani që në vitin 2018 u riemërua në Fincraft Resources.

Pronari kryesor i kompanisë Mayak është një kompani e regjistruar në Holandë e quajtur Dostyk Investments B.V, që kontrollohet nga oligarku kazak, Timur Kulibaev. Kulibaev është burri i vajzës së Nazarbaevit, Dinara dhe gjatë epokës së Nazarbaevit konsiderohej si “biznesmeni më me ndikim” në Kazakistan.

Më 2018, Scanner Project publikoi një raport që thoshte se Timur Toqaev ishte pronar i një apartamenti në kompleksin Chemin Gilbert-Trolliet në Gjenevë. Në po të njëjtin kompleks, pronar i një apartamenti ishte Semyon Vinokurov, dhëndëri i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ueb-faqja kazake, Kz.expert tha më 2019 se vlera e rezidencës së Toqaevit në Gjenevë ishte 2 milionë dollarë.

Duke theksuar se vajza e Nazarbaevit, Dinara kishte një vilë masive në periferi të qytetit zviceran, Kz.expert shkroi: “Ky qytet... është bërë një ‘shtëpi’ si për familjen e presidentit të parë, Nursultan Nazarbaev dhe për familjen e presidentit të dytë” Qasym-Zhomart Toqaev.

Që prej raportit të vitit 2016 të Mayak, nuk ka pasur asnjë lajm publik për interesat ruse të Timur Toqaevit. Më 2019, u raportua se ai e ka ndryshuar emrin në “Kemel”, ndoshta në nder të gjyshit të tij. Në data-bazat e bizneseve ruse, pas vitit 2016 nuk mund të gjendet emri “Timur Kemel” apo “Timur Toqaev”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
Në këtë artikull ka kontribuar korrespondenti i REL-it, Robert Coalson