Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se problem për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën nuk janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por disa shtete që e kanë njohur Kosovën e që, sipas tij, nuk janë të kënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.
“Problem pak më të madh duket se ka Ministria e Punëve të Brendshme e Francës dhe ministri i Punëve të Brendshme [i Kosovës], Xhelal Sveçla, i ka nisur kontaktet me MPB-në në Francë për të dëshmuar që ka seriozitet në luftën kundër korrupsionit”, tha Bislimi.
“Një nga vendet që është thënë se ka vërejtje, është edhe Holanda. Po ashtu, MPJ e Kosovës është në kontakt me ta, që t’i bindë se Kosova i ka realizuar obligimet e marra. Jo zyrtarisht është thënë se brenga të tilla ka edhe Belgjika, ndonëse kryeministri i Belgjikës zyrtarisht ka deklaruar se do ta përkrahë Kosovën në liberalizimin e vizave”, tha Bislimi përpara Komisionit për Integrime Evropiane.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Vendimi për këtë çështje ka ngecur për shkak të skepticizmit që kanë shfaqur shtetet si Franca dhe Holanda.
Pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, janë: Greqia, Rumania, Qiproja, Spanja dhe Sllovakia.
SHIKONI EDHE: Pandemia shtrenjton vizat