Bislimi: Kontrata Elektrosever-KEDS është hap drejt normalizimit të furnizimit me rrymë në veri

Mitrovica e Veriut.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e quajti të hënën nënshkrimin e kontratës mes Elektroseverit dhe kompanisë kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS), një hap tjetër drejt normalizimit të furnizimit me rrymë dhe lëshimit të faturave për qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Të shtunën, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi për nënshkrimin e kontratës mes kompanisë serbe dhe KEDS-it.

“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”, shkroi Bislimi të hënën në rrjetin social Facebook.

SHIKONI EDHE: Lajçaku thotë se Elektroseveri ka nënshkruar kontratë për energjinë me KEDS-in

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën”, tha Bislimi.

SHIKONI EDHE: Çka parasheh udhërrëfyesi për energjinë?

Ky udhërrëfyes nuk është zbatuar deri tani dhe Bislimi tha se tani është koha “të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t'i dhënë fund pas më shumë se 20 vjetëve ilegalitetit në mospagesë të rrymës.”

Qytetarët e katër komunave në veriun e Kosovës nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar prej vitit 1999. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.