Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se delegacioni i Serbisë shkon me “besimin më të madh” në Bruksel, ku më 19 korrik do të mbahet rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Duam të bisedojmë, t’i zgjidhim problemet konkrete, nga personat e zhdukur e gjithçka tjetër. Mendoj se përparimi është i nevojshëm, por nëse është i mundur, do ta shohim”, tha Vuçiq.
Një ditë më herët, Bashkimi Evropian - si ndërmjetësues i dialogut - konfirmoi se rundi i ri i bisedimeve në nivelin më të lartë politik do të mbahet më 19 korrik.
“Ky takim i nivelit të lartë do të përqendrohet në diskutimet për përparimin e bërë, për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Takimi do të jetë i dyti midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takimin e 15 qershorit, dy zyrtarët nuk janë pajtuar për asgjë, por kanë rënë dakord t’i vazhdojnë takimet.
Mosmarrëveshjet midis tyre kanë të bëjnë sidomos me forminin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Asociacioni në qendër të dialogutKurti ka thënë më herët se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
Pala serbe këmbëngul që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.
Pala kosovare, në anën tjetër, thotë se ka një numër marrëveshjesh të arritura në dialog, që pala serbe nuk i zbaton në mënyrë të duhur, përfshirë, sipas saj, marrëveshjen për kontrollin e kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes e të tjera.