Armëpushim i pjesshëm, luftë e pandërprerë: Realitet i vrazhdë në Ukrainë dhe në Rusi

Një lagje banimi në Hostomel, afër Kievit, e fotografuar më 19 mars, pas një sulmi me dronë gjatë natës.

Më 18 mars u njoftua për arritjen e një armëpushimi të pjesshëm, teksa Kremlini u zotua se do t'i ndalë sulmet ndaj objektivave "të energjisë dhe infrastrukturës", pas një bisede telefonike mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Zjarrfikësit duke u angazhuar për shuarjen e zjarrit, pas një sulmi ndaj një spitali në Krasnopillia, në rajonin ukrainas Sumi.

Që nga biseda telefonike e 18 marsit, në Ukrainë dhe në Rusi janë sulmuar një mori vendesh.

Depoja e naftës Kavkazskaya, në rajonin e Krasnodarit, në Rusi, e kapluar nga flakët pasi u sulmua nga dronët më 19 mars. Autoritetet ruse e fajësuan Ukrainën për sulmin.

Një ushtar ukrainas duke biseduar në telefon me të afërmit, pas lirimit nga robërimi rus, më 19 mars.

Ukraina dhe Rusia liruan nga 175 të burgosur lufte, një ditë pas telefonatës Trump-Putin, një gjest që u përmend gjatë bisedës.

Një grup ushtarësh rusë, pas lirimit të tyre nga Ukraina, më 19 mars.

Banorët e një blloku banimi në rajonin Kirovohrad të Ukrainës duke pastruar rrënojat, më 20 mars, pas një sulmi rus me dronë.

Në fillim të marsit, Ukraina u pajtua për një armëpushim të plotë gjatë bisedimeve të vazhdueshme për paqe, por propozimi u hodh poshtë nga Rusia.

"Kush do të vlerësojë se ku dhe kush e ka shkelur një marrëveshje të mundshme armëpushimi përgjatë 2.000 kilometrash [vijë fronti]? Dhe, kush do ta fajësojë kë për shkeljen e asaj marrëveshjeje?", u tha gazetarëve presidenti rus, Vladimir Putin.

Një raketahedhës rus duke shtënë ndaj pozicioneve në Ukrainë, më 20 mars. Gjatë bisedimeve të vazhdueshme për paqe, luftimet përgjatë vijës së frontit vazhduan pasi Rusia refuzoi një armëpushim të plotë.

Një shtëllungë tymi duke u ngritur mbi bazën ajrore Engels në Rusi, më 20 mars, pasi dronët ukrainas sulmuan disa magazina municionesh në bazë.

Një banesë duke u djegur në katin më të lartë të një ndërtese në Kiev, pas një vale sulmesh ruse më 23 mars.

Autoritetet ukrainase thonë se gjatë fundjavës së 22 dhe 23 marsit u vranë tre persona nga sulmet në Kiev, përfshirë një vajzë pesëvjeçare dhe babai i saj.

Bisedimet e fundit ndërmjet emisarëve rusë dhe amerikanë nisën në Riad të Arabisë Saudite, më 24 mars.

Fotografitë nga Ukraina dhe Rusia tregojnë pasojat e disa prej sulmeve më shkatërruese me dronë në javët e fundit, të kryera pas arritjes së pajtimit për një armëpushim të pjesshëm për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. (Përgatiti: Trim Haliti)