Bisedimet për armëpushimin në Gazë do të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro, pasi Shtetet e Bashkuara ofruan një “propozim kompromisi” ndaj Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian – në Doha, me qëllim që të arrihej një marrëveshje, tha Shtëpia e Bardhë më 16 gusht.
SHBA-ja tha se bisedimet dyditore në Doha ishin “serioze dhe konstruktive” dhe Uashingtoni, që u përfaqësua nga drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, ofroi ide për të arritur një marrëveshje drejt dhënies fund të konfliktit 10-mujor.
“Ky propozim bazohet në fushat e marrëveshjes së javës së kaluar dhe tejkalon boshllëqet e mbetura, në mënyrë që lejon një zbatim të shpejtë të marrëveshjes”, u tha në një deklaratë të përbashkët të Shtëpisë së Bardhë dhe ndërmjetësit e tjerë, Katari e Egjipti.
“Zyrtarë të lartë nga qeveritë tona do të takohen në Kajro para fundit të javës së ardhshme me qëllim që të përmbyllim marrëveshjen, sipas kushteve të paraqitura sot”, u tha në deklaratë.
SHIKONI EDHE: Biden s’do t’i lejojë “ekstremistët” t’i çorientojnë bisedimet për Gazën, thotë Shtëpia e BardhëDeri në rundin e ri të bisedimeve në Kajro, ekipet e nivelit të punës do të punojnë në detajet e marrëveshjes, që përfshin çështjet që kanë të bëjnë me çështjet humanitare dhe praktikat për lirimin e pengjeve, u tha në njoftim.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulm të paprecedent në Izrael, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor që udhëhiqet nga Hamasi.