Qyteti i Kavadarit, i cili ndodhet në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut, për të ndihmuar qytetarët e Buças ka nisur një gjenerator për rrymë.
Ky donacion u bë pas binjakëzimit të Kavadarit me qytetin Buça të Ukrainës, i cili së fundmi është bërë shumë i njohur nga masakra që kanë lënë mbrapa forcat ruse, në këtë qytezë afër Kievit.
Kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev, për Radion Evropa e Lirë thotë se në fokus do të mbetet intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik me qytetin e Buças, në funksion të ngritjes së perspektivave të këtij rajoni.
“Banorët e Buças kanë mungesë të energjisë elektrike, gjë që ka shkaktuar probleme edhe në furnizimin me ujë dhe sistemin e kanalizimit. Andaj, banorët e këtij qyteti, vendosëm t`i ndihmojmë, duke bërë donacion një gjenerator rryme me kapacitet prej 700 kilovat orë.
Ky gjenerator në Buça duhet të arrijë deri të premten”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mitko Jançev.
Ai nënvizon se komuna që përfaqëson me qytetin e Buças të Ukrainës, ka një bashkëpunim prej vitesh prandaj dhe vendimi për t’u binjakëzuar këto dy qytete, Kavadari dhe Buça, ka ardhur shumë natyrshëm.
Your browser doesn’t support HTML5
Binjakëzimi i këtyre dy qyteteve është zyrtarizuar më 20 tetor të këtij viti, me ç’rast kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev, ka pritur zëvendëskryetarin e qytetit Buça, Shepetko Serhi, si dhe ambasadoren e Ukrainës në Shkup, Larysa Dir.
Nënkryetari qytetit të Buças, Serhi, është shprehur se gjeneratori për rrymë do t’u ndihmojë banorëve të këtij qyteti për kryerjen e obligimeve të përditshme.
“Pavarësisht se si do të jetë situata në Ukrainë, e qetë apo siç është aktualisht, unë jam i bindur se dy komunat tona do të rrisin zhvillimin ekonomik, dhe se buxheti i dy komunave do të rritet në saje të këtij bashkëpunimit ekonomik” ka deklaruar Serhi.
Ndërkohë ambasadorja e Ukrainës në Shkup Larysa Dir ka theksuar se Buça po përpiqet të ringjallet duke vendosur fokusin në rindërtimin e infrastrukturës kritike ashtu siç bëjnë dhe shumë qytete të tjera të Ukrainës.
“Ekziston nevoja për të rivendosur ndërtesat e banimit për një jetë të re të ukrainasve që i kanë mbijetuar të gjitha tmerret e makinës ushtarake ruse. Për ta arritur këtë kemi nevojë edhe për ndihmën e partnerëve dhe miqve të huaj” ka theksuar ambasadorja ukrainase Larysa Dir .
Ndryshe në qytetin e Kavadarit për momentin janë strehuar 7 shtetas të Ukrainës të cilët për shkak të luftimeve atje kanë braktisur shtëpitë e tyre.
Kryetari i komunës së Kavadarit Mitko Jançev thotë se pavarësisht se ata kanë statusin e refugjatit nuk ka asnjë pengesë që ata të kyçen në punë, pasi papunësia në këtë qytet është vetëm 2.7 për qind.
Buça si qytet i cili ndodhet në afërsi të kryeqytetit të Ukrainës Kievit, para luftës kishte një popullsi të ngjashme me atë të Kavadarit, edhe atë rreth 36.000 banor.
Së fundmi ky qytet për opinionin botërorë u bë i njohur nga masakra që kanë lënë mbrapa forcat ruse, ku siç kanë theksuar autoritet ukrainase jetën e kanë humbur më shumë se 400 civil.
Binjakëzimi i komunave është i rregulluar me ligjin për bashkëpunim komunal me të cilin rregullohet mënyra, kushtet dhe procedura për vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal dhe format përmes së cilave realizohen; financimi, evidenca dhe mbikëqyrja e bashkëpunimit ndër komunal dhe çështje të tjera me rëndësi për bashkëpunimin ndër komunal.