Reputacioni i Kinës në Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera të zhvilluara, ka rënë në mënyrë drastike nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut, sipas një studimi të kryer nga Qendra Kërkimore Pew.
Sondazhet dhe analiza e të dhënave nga Pew, kanë treguar se opinioni publik për Kinën, në vendet e zhvilluara, është bërë “shumë më negativ” gjatë 10 vjetëve të Xi-së në zyrë.
Në mesin e shqetësimeve kyçe për Kinën janë përmendur politikat për të drejta të njeriut, fuqia ushtarake dhe ajo ekonomike.
Xi synon të fitojë edhe një mandat të tretë si lider i Partisë Komuniste, në një Kongres që nis në Pekin më 16 tetor.
Ky Kongres mbahet çdo pesë vjet.
Për disa ka qenë e dukshme që Xi do të përdorë këtë takim për të siguruar edhe një mandat si Sekretar i Përgjithshëm i partisë, dhe që në këtë mënyrë të zgjerojë pushtetin.
SHIKONI EDHE: Pse është zemëruar Kina pas raportit të OKB-së për Ksinjiangun?Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Partia Komuniste ia ka shtruar atij rrugën që të mbetet lider partiak për pothuajse gjithë jetën e tij.
Përmes një “rezolute historike”, Komiteti Qendror ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që partia të ruajë “rolin e Xi-së në thelb të partisë”.
Qendra Kërkimore Pew ka vënë në pah edhe qasjet e pafavorshme për Kinën në Korenë Jugore, dhe se situata është duke ndryshuar edhe në Australi.
Sa i përket Japonisë, Pew ka thënë se pikëpamjet për Kinën në këtë shtet kanë qenë negative “në gjithë dekadën e fundit”.