Bie numri i nxënësve që vijojnë mësimin në Maqedoni

Ilustrim

Numri i nxënësve në Maqedoni, brenda dhjetë viteve të fundit është zvogëluar për 30 mijë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave gjatë vitit shkollor 2007/2008 në Maqedoni numri nxënësve në shkollat fillore ka qenë 222 mijë e 369 nxënës, përderisa një dekadë më vonë, përkatësisht gjatë vitit shkollor 2017/2018, në bankat shkollore, nga klasa e parë deri në atë të nëntën janë ulur vetëm 192 mijë e 448 nxënës.

Ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski për Radion Evropa e Lirë thotë se këto të dhëna tregojnë qartë se popullata në Maqedoni po vjetrohet.

Gerasimovski thotë se është fakt se në uljen e numrit të nxënësve ka ndikuar ulja e natalitetit, duke shtuar ky fakt nuk është indikatori i vetëm, sepse sipas tij, numri i fëmijëve të lindin nuk përkon me numrin e filloristëve të regjistruar në shkollat fillore.

“Edhe më indikativ janë të dhënat se numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit nuk përkon me numrin e atyre që përfundojnë, përkatësisht rreth 2mijë e 500 deri 3 mijë nxënës për çdo vit ç’regjistrohen nga shkolla”.

“Pastaj, të dhënat flasin se si filloristët çdo vit regjistrohen më pak nxënës në shkolla, krahasuar me numrin e fëmijëve të lindur gjashtë vite më parë, që tani duhet të kyçen në sistemin shkollor, që do të thotë se këta fëmijë janë larguar tërësisht nga Maqedonia”.

“Nëse të dhënat zyrtare thonë se në Maqedoni mesatarisht brenda një viti lindin mbi 21 mijë fëmijë, kurse në shkolla regjistrohen rreth 19 mijë fëmijë, shtrohet pyetja se ku janë 2 mijë fëmijë, madje dhe më shumë? Është e qatë se kanë migruar me prindërit sepse ata s’mund të qëndrojnë në shtëpi, përderisa arsimi fillor është i obligueshëm”, thotë Gerasimovski.

Përderisa, Nuhi Dadhishta kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë thotë se me nxënësit shqiptarë problem shumë i theksuar paraqitet migrimi i brendshëm dhe jo largimi jashtë vendit.

Dardhishta thotë se në Komunën e Çairit të Shkupit nevojitet të ndërtohen të paktën edhe katër shkolla që të mund të përballohet rritja e numrit të nxënësve. Ndërkohë që në qytetet si Dibra, Struga, Kërçova dhe fshatrat që gravitojnë në komunën e Likovës së Kumanovës, për çdo vit zvogëlohet numri i nxënësve, duke migruar një pjesë jashtë vendit, por pjesa më e madhe e tyre, thotë Dardhishta, drejtohen në dy qytetet më të mëdha, Shkup dhe Tetovë.

“Sa i përket uljes së numrit të nxënësve që i publikon Enti Shtetëror i Statistikave duhet bërë një analizë e veçantë për shkollat që gravitojnë në lagjet shqiptare, veçanërisht në Komunën e Çairit të Shkupit sepse kemi rritje enorme të nxënësve në këtë komunë”.

“Këtu vijën nxënësit nga Likova, Tetova dhe vendet e tjera sepse si kryeqendër janë të vendosura të gjitha institucionet, Qeveria, ministritë që ofrojnë mundësi punësimi dhe nga ana tjetër nuk kemi objekte shkollore në bazë të numrit të kërkesave të nxënësve”, thotë Dardhishta.

Mungesa e regjistrimit të popullatës në Maqedoni që nga viti 2002, kur është realizuar herën e fundit, pamundëson që me saktësi të dihet se cili është numri i saktë i qytetarëve të larguar nga vendi.