Bideni i pret në Uashington liderët polakë

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda (majtas) duke e përshëndetur presidentin amerikan, Joe Biden, në Varshavë, shkurt 2023.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të presë në takim liderët polakë, presidentin Andrzej Duda dhe kryeministrin Donald Tusk në Shtëpinë e Bardhë të martën.

Ai pritet ta sigurojë aleatin e rëndësishëm të NATO-s, Varshavën, se e gëzon mbështetjen e Uashingtonit, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Para vizitës në SHBA, Duda u bëri thirrje aleatëve të NATO-s për t’i rritur shpenzimet si përgjigje ndaj druajtjeve të mëdha për agresionin e Moskës.

SHIKONI EDHE: Orban thotë se Trump synon ta ndërpresë mbështetjen financiare për Ukrainën

Presidenti Duda pritet t’i kërkojë Bidenit të dërgojë më shumë trupa amerikane në krahun lindor të aleancës ushtarake me Rusinë.

Takimi i pazakontë i Bidenit me djathtistin Duda dhe proevropianin Tusk, tregon për shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se tensionet e mëdha mes liderëve polakë mund ta dëmtojnë aleancën perëndimore.

Gjatë një fjalimi para kombit javën e kaluar, Bideni tha se “nëse dikush në këtë dhomë mendon se Vladimir Putini do të ndalet në Ukrainë, unë ju siguroj se ai nuk do të ndalet”.

Frika për fatin e Ukrainës është duke u rritur nëpër Evropë, pasi ajo po përballet me mungesë armatimi dhe municioni, derisa Rusia po përparon në fushëbetejë në Ukrainë, në vitin e tretë të pushtimit.