Biden dhe Zelensky do të takohen në Vilnius në kuadër të samitit të NATO-s

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden pranë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Kiev më 20 shkurt 2023.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë samitit dy-ditor të NATO-s në Lituani.

Duke folur në Vilnius përpara samitit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha më 11 korrik se Biden dhe Zelensky do të takohen të mërkurën për të shqyrtuar se "si Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët janë të përgatitur që të angazhohen në mënyrë afatgjatë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet tani, si dhe për të penguar agresionin në të ardhmen”.

Samiti do të diskutojë mbështetjen e mëtejshme ushtarake të NATO-s për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus dhe lidhjet e saj të ardhshme me aleancën, duke përfshirë perspektivat e anëtarësimit.

SHIKONI EDHE: NATO-ja do ta ftojë Ukrainën "kur të plotësohen kushtet"

Këshilltari i lartë i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak i tha Radios Evropa e Lirë më 11 korrik se Zelenskiy dhe Biden do të bisedojnë gjithashtu për mundësitë e përshpejtimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë avionët dhe raketat me rreze të gjatë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Sullivan deklaroi se NATO do t'i ofrojë Ukrainës një udhërrëfyes për zbatimin e reformave që përfundimisht do të çonin në anëtarësimin e saj në aleancë.

Megjithatë, ai nuk dha detaje për një afat kohor se kur kjo mund të ndodhë.

Duke folur në Vilnius më 11 korrik, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Ukraina do të marrë një "mesazh pozitiv në rrugën e anëtarësimit", së bashku me garancitë dypalëshe të sigurisë.

SHIKONI EDHE: Rusia godet Kievin me dronë disa orë para samitit të NATO-s

Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët duhet të bien dakord që të heqin kërkesën për një Plan Veprimi për Anëtarësim (MAP) për Ukrainën. MAP përbën një listë të qëllimeve politike, ekonomike dhe ushtarake që vendet e tjera të Evropës Lindore duhet të përmbushnin përpara se të bashkoheshin me aleancën.

"Ukraina ka bërë një rrugë të gjatë që kur morëm vendimin në vitin 2008 se hapi tjetër do të ishte Plani i Veprimit për Anëtarësim. Ukraina është shumë më afër NATO-s, kështu që mendoj se ka ardhur koha për ta reflektuar këtë në vendimet e NATO-s", tha Stoltenberg.

Zelenskiy më 10 korrik u kërkoi përsëri aleatëve perëndimorë një "sinjal të qartë" mbi perspektivat e anëtarësimit të vendit të tij në NATO.

"Ukraina e meriton të jetë në aleancë. Jo tani, sepse tani ka luftë, por ne kemi nevojë për një sinjal të qartë dhe ky sinjal është i nevojshëm tani", tha Zelensky në një video-mesazh të postuar në Twitter.