Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur këtë të premte, më 15 korrik në Jedah, në Arabinë Saudite, ku do të takohet me sundimtarin de-fakto të vendit, Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.
Vendimi i tij për t'u ndalur në Arabinë Saudite si pjesë e turit 4-ditor në Lindjen e Mesme solli kritika të ashpra, me disa analistë, që e quajnë atë një shuplakë në fytyrë për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut.
Vizita në Arabinë Saudite shihet si një zbrapsje nga premtimi i dy viteve më parë të Presidentit Biden për të vendosur të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme amerikane dhe për ta izoluar princin saudit të kurorës nga skena ndërkombëtare për vrasjen e gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashoggi në 2018-n.
SHIKONI EDHE: Turqia transferon në Arabinë Saudite gjykimin për vrasjen e KhashoggitSi Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe OKB-ja, gjetën në mënyrë të pavarur prova se princi saudit qëndronte pas vrasjes së gazetarit me origjinë saudite. Pretendime që princi saudit i mohon.
Gjatë takimit pritet që temat e diskutimit për dy liderët të përfshijnë furnizimin me energji, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin mbi çështjet e sigurisë.
Arabia Saudite është prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe përpjekja për rivendosjen e marrëdhënieve pason një rritje të çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Ekspertët thonë se vizita e parë e zotit Biden në Lindjen e Mesme si president ka të ngjarë të jetë e vështirë, me grupet e të drejtave të njeriut që do të vëzhgojnë çdo shtrëngim duarsh dhe do të analizojnë çdo fjalë të tij.