Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Qeverisë komuniste të Kubës, të dëgjojë kërkesat e protestuesve për t’i dhënë fund “shtypjes” dhe varfërisë në këtë ishull, një ditë pasi mijëra banorë kanë dalë në protesta të rralla kundër udhëheqësisë.
Protestuesit, që kanë dalë nëpër rrugët e Kubës më 11 korrik, teksa vendi përballet me krizën më të rëndë ekonomike prej rënies së ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe me rekord të të infektuarve me koronavirus, kanë bërtitur “liri” dhe “rënie e diktaturës”.
SHIKONI EDHE: Rusia paralajmëron kundër “ndërhyrjes së jashtme” në KubëPresidenti i Kubës Miguel Díaz-Canel, është përgjigjur duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të “luftojnë” protestat në kryeqytetin Havana.
Ai ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për protestat e fundit, duke thënë se politika e ngufatjes ekonomike ka provokuar trazirat shoqërore në këtë vend.
Diaz-Canel pritet të bëjnë një tjetër adresim për media në Havana, më vonë gjatë ditës.
Ky shtet, me rreth 11 milionë banorë, është përballur me mungesa të ushqimit, kufizime të lirive civile dhe mungesa të vaksinave, çka kanë rritur zemërimin publik për menaxhimin e pandemisë, nga ana e autoriteteve.
“Ne jemi me popullin e Kubës dhe thirrjet e tyre për liri dhe lehtësim të situatës nga kriza me pandeminë, si dhe nga dekadat e shtypjes dhe problemeve ekonomike, që kanë qenë subjekte të regjimit autoritar në Kubë”, ka thënë Biden përmes një deklarate më 12 korrik.
“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje regjimit të Kubës, që të dëgjojë popullin e vet dhe të shërbejë për nevojat e tij në këtë moment jetik, në vend të pasurimit të vetvetes”, ka thënë mes tjerash Biden.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat më 11 korrik.
Disa prej tyre janë parë edhe duke përdorur pajisje gome për të rrahur protestuesit, ka raportuar po ashtu AFP.