Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump, u zgjodhën kandidat për president nga partitë e tyre përkatëse të mërkurën, pasi shënuan fitore vendimtare në zgjedhjet paraprake, duke e hapur rrugën për përsëritjen e një përballjeje ndërmjet tyre në zgjedhjet e nëntorit.
Rezultati i garave paraprake të martën në shtetet si, Xhorxhia, Misisipi dhe Uashington, nuk ka qenë asnjëherë në dyshim. As demokrati Biden, e as republikani Trump, nuk u përballën me kundërshtarë të fortë.
Fitoret në zgjedhjet paraprake ua mundësojnë atyre numrin e mjaftueshëm të delegatëve të nevojshëm për t’u zgjedhur zyrtarisht kandidat për president në konventat nacionale në verë.
Tani nuk ka më dyshim se në zgjedhjet e nëntorit Biden dhe Trump do të përballen përsëri.
SHIKONI EDHE: Haley tërhiqet, hap rrugën për përsëritjen e përballjes Trump-BidenPërsëritja e përballjes ndërmjet tyre – e para mes dy presidentëve amerikanë prej vitit 1912 – mund t’i thellojë ndarjet politike dhe kulturore gjatë tetë muajve të ardhshëm, raporton Associated Press.
Biden e festoi nominimin nëpërmjet një komunikate, në të cilën e cilësoi Trumpin si kërcënim serioz për demokracinë.
Trumpi, tha Biden, është “duke e udhëhequr një fushatë shpagimi, hakmarrjeje dhe inati, e cila e kërcënon Amerikën”.
Ndërsa Trump, në një video të postuar në rrjetet sociale, e festoi atë që e quajti “një fitore të madhe”.
“Por, tani, ne duhet t’i kthehemi punës, sepse e kemi presidentin më të keq në histori të vendit tonë”, tha Trump për Bidenin.
“Nuk do të humbim kohë për të festuar. Do të festojmë pas tetë muajve, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet”, shtoi ai.
As Trump, e as Biden nuk e kanë të lehtë rrugën përpara. Biden, 81 vjeç, është tashmë presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ndërsa Trump, 77 vjeç, përballet me katër raste penale përfshirë për tentimin për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi, si dhe për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara.
SHIKONI EDHE: Orbani takohet sot me Trumpin, të cilin e mbështet në zgjedhjet e nëntoritAi përballet edhe me pyetje rreth planeve politike dhe marrëdhënieve me disa prej diktatorëve më të rrezikshëm në botë. Trumpi u takua privatisht të premten me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka përmbysur demokracinë në vendin e vet.
Biden, i cili do t’i mbushte 86 vjet në fund të mandatit të ardhshëm, po punon për ta garantuar një elektorat skeptik se ai është ende i aftë mendërisht dhe fizikisht për të lulëzuar në punën më të rëndësishme në botë.
Ai përballet me mosmarrëveshje brenda bazës së partisë së tij, ku ka pakënaqësi se ai nuk ka bërë më shumë për ta ndalur luftën e Izraelit kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA – në Gazë. Aktivistët dhe liderët fetarë në Uashington i nxitën demokratët të votojnë “i pavendosur” si shenjë zemërimi.