Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parasheh se gjysma e veturave të reja të shitura në SHBA, të jenë elektrike deri më 2030.
Biden ka bërë të ditur këtë vendim më 5 gusht nga Shtëpia e Bardhë, bashkë me shefat ekzekutivë të prodhuesve të mëdhenj të makinave në SHBA.
Si prodhuesit amerikanë, ashtu edhe ata të huaj, kanë thënë se përmbushja e këtij synimi, që nuk është i detyrueshën, kërkon ndarjen e fondeve qeveritare në vlerë të miliarda dollarëve.
Sipas tyre, aty duhet të përfshihen stimuj të tillë si subvencionet ndaj konsumatorëve, rrjetet e rimbushjes së baterive dhe investimet në kërkim dhe zhvillimin.
Ky vendim është pjesë e planit të Bidenit për të luftuar ndryshimet klimatike, në këtë rast përmes shënjestrimit të emetimeve nga makinat dhe kamionët.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton për Evropën plani i BE-së për klimën?Ai ka marrë këtë vendim edhe për t’i bërë konkurrencë Kinës dhe shteteve tjera që kanë investruar në makina elektrike.
Biden i ka quajtur këto lloj makinash si e ardhmja e industrisë së automobilizmit.
“Do të jenë elektrike dhe ska kthim mbrapa. Pyetja është nëse ne do të udhëheqim apo do të mbesim mbrapa”, ka thënë ai.
Administrata e Bidenit ka propozuar edhe emetime standarde për makinat e reja, të cilat besohet se do të zvogëlonin emetimet e karbonit deri më 2026, duke nisur nga modelet e reja të makinave që do të prezantohen më 2023.