Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e shpalosi të premten vonë një propozim trefazësh të Izraelit për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës, duke thënë se “ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund”.
Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara “ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.
Në këtë fazë, Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe Izraeli do të bisedonin për një armëpushim të përhershëm, për të cilin Biden tha se do të zgjaste “për aq gjatë sa Hamasi u përmbahet zotimeve të veta”.
SHIKONI EDHE: OBSH: Rafah mund të mbetet edhe pa spitalin e fundit nëse vazhdojnë sulmet izraeliteNëse bisedimet zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi i përkohshëm zgjatet gjithashtu për aq kohë sa vazhdojnë bisedimet.
Në fazën e dytë, Biden tha se do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.
Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.
“Ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund dhe që të nisë një ditë e re”, tha Biden.
Hamasi – të cilit ia dorëzoi propozimin ndërmjetësi Katari – reagoi pozitivisht ndaj tij përmes një komunikate.
Hamasi tha se është i gatshëm të angazhohet “pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive” për çfarëdo propozimi që parasheh armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve, dhe një shkëmbim “të mirëfilltë” të të burgosurve, “nëse Izraeli njofton qartazi se është i përkushtuar për marrëveshje të tillë”.
SHIKONI EDHE: Dënohen sulmet vdekjeprurëse të Izraelit në RafahZyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai e ka autorizuar ekipin e tij negociues ta paraqesë marrëveshjen, derisa “ka ngulur këmbë se lufta nuk do të përfundojë pa u arritur të gjitha synimet, përfshirë kthimin e të gjitha pengjeve tona, si dhe shfarosjen e kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit”.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.