Shfuqizohet ndalesa për TikTok në SHBA

Ilustrim.

Presidenti amerikan Joe Biden ka shfuqizuar urdhrin ekzekutiv të paraardhësit të tij Donald Trump, që ndalonte aplikacionet TikTok dhe WeChat në Shtetet e Bashkuara.

Kjo ndalesë është përcjellë me një mori sfidash ligjore dhe asnjëherë nuk është zbatuar.

Tani Departamenti amerikan për Tregti, do të rishikojë aplikacionet e dizajnuara dhe të zhvilluara nga ata që “përfshihen në listën e kundërshtarëve të huaj” të SHBA-së, siç është Kina.

Biden ka thënë se do të ketë qasje të bazuar në fakte, për të kuptuar nëse këto aplikacione përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

TikTok nuk ka komentuar ende këtë vendim.

Trump pati nënshkruar urdhrin ekzekutiv për aplikacionin TikTok, që është në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, më 2020.

Ai e pati përshkruar aplikacionin atëbotë, si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë ishte bërë një propozim që kompanitë Oracle dhe Walmart që merrnin të drejtat për menaxhim të TikTokut në SHBA.

Mirëpo ndërlikimet ligjore, dhe fakti që Trump është larguar nga pozita e presidentit, kanë nënkuptuar që as ndalesa dhe as përfshirja amerikane nuk janë jetësuar ndonjëherë.