Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë dyshimet në lidhje me shëndetin mendor të presidentit Joe Biden.
Sekretarja për media, Karine Jean-Pierre, mohoi se Biden po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit, e cila mund të shkaktojë lëvizje të ngurta dhe të folur të paqartë.
“A është trajtuar presidenti për Parkinson? Jo. A po trajtohet për Parkinson? Jo”, tha ajo në një konferencë me gazetarët.
Jean-Pierre po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një raport në gazetën New York Times, se një ekspert për sëmundjen e Parkinsonit ka vizituar Shtëpinë e Bardhë tetë herë që nga viti i kaluar.
Një letër që lëshoi të hënën vonë mjeku i Bidenit, sqaroi se specialisti në fjalë, Kevin Cannard, ka qenë konsulent neurologjie në Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2012 dhe se ai i ndihmon “mijëra anëtarë aktivë që punojnë në mbështetje të operacioneve të Shtëpisë së Bardhë”.
Mjeku i presidentit, Kevin O’Connor, tha gjithashtu se Biden nuk ka vizituar ndonjë neurolog jashtë kontrollit të tij vjetor.
SHIKONI EDHE: Biden refuzon të tërhiqet: Duhet ta mposhtim TrumpinBiden, 81 vjeç, demokrat, do të garojë për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Pyetjet në lidhje me shëndetin e tij mendor janë intensifikuar që nga performanca e dobët e tij në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, më 27 qershor.
Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.
Biden e ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë, por ka thënë se rizgjedhja e Trumpit “do ta shkatërronte demokracinë”.