Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka hedhur poshtë të enjten thirrjet e protestuesve për ndryshimin e qëndrimit të tij rreth luftës në Rripin e Gazës, si dhe ka ngulur këmbë se “rendi duhet të mbizotërojë” gjatë protestave në kampuset e kolegjeve nëpër vend.
“Kundërshtimi është thelbësor për demokracinë. Por, kundërshtimi nuk duhet asnjëherë të çojë drejt prishjes së rendit”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti demokrat e theu heshtjen disaditore për protestat nëpër kolegjet amerikane, duke komentuar rreth tyre. Ai ishte kritikuar nga republikanët për heshtjen.
Ai i shmangi kërkesat e protestuesve, të cilët duan që SHBA-ja ta ndërpresë ndihmën për operacionet ushtarake të Izraelit.
SHIKONI EDHE: Policia urdhëron shpërndarjen e protestuesve pas përleshjeve në UCLAI pyetur nëse protestuesit do ta nxisnin ta shqyrtojë ndryshimin e qëndrimit, Biden u përgjigj shkurtimisht: “Jo”.
Tensionet në kolegjet e kampuseve janë rritur tash e disa ditë, pasi protestuesit nuk kanë pranuar të largohen dhe administratorët e kolegjeve e kërkuan ndihmën e Policisë për largimin e tyre me forcë, duk nxitur përleshje të cilat kanë marrë vëmendje të madhe.
“Ekziston e drejta për të protestuar, por jo e drejta për të shkaktuar rrëmujë”, tha Biden.
“Njerëzit kanë të drejtë të arsimohen, kanë të drejtë ta marrin diplomën, kanë të drejtë të ecin në mënyrë të sigurt nëpër kampuse, pa pasur frikë se do të sulmohen”, shtoi ai.
I pyetur nëse guvernatorët shtetërorë duhet t’i dërgojnë trupat e Gardës Kombëtare për ta vendosur rendin nëse është e nevojshme, Biden u përgjigj: “Jo”.
Studentët po kërkojnë marrëveshje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, ndërsa shkollave po u kërkojnë të largohen nga kompanitë të cilat e mbështesin Qeverinë izraelite.
SHIKONI EDHE: Dhjetëra studentë arrestohen në SHBA gjatë protestave propalestinezeSipas të dhënave të mbledhura nga agjencia Associated Press, që kur kanë nisur trazirat në kampuset në universitetet amerikane, më shumë se 1.600 persona janë arrestuar në 30 shkolla amerikane.
Protestat mbarëkombëtare në kampuse nisën në Universitetin e Kolumbisë më 17 prill, kur u protestua kundër ofensivës së Izraelit në Gazë.
Izraeli e nisi luftën në Gazë në tetor 2023, si hakmarrje ndaj një sulmi befasues në vendbanimet izraelite nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Gati 1.200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi thotë se më shumë se 34.000 njerëz janë vrarë në luftën e Izraelit.