Biden dhe Scholz bisedojnë për Ukrainën, teksa Rusia kryen sulm “masiv”

Presidenti amerikan, Joe Biden (majtas), dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, marrin pjesë në një takim të Kompaktit të Ukrainës ,në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, në korrik 2024.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u takua me kancelarin Olaf Scholz, në Berlin, para se të mbajë bisedime të përbashkëta për Ukrainën me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, teksa Rusia vazhdoi sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase. Më 18 tetor, Moska kreu "një prej sulmeve më masive" me dronë ndaj Ukrainës.

Vizita e Bidenit në Gjermani vjen një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ua prezantojë udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve të lartë të NATO-s një sërë masash për të cilat tha se do të ndihmonin vendin e tij t’i japë fund pushtimit 31-mujor nga Rusia.

Biden u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të vazhdojnë të jenë të vendosur dhe të mbështesin Kievin.

Ai lavdëroi Scholzin për mbështetjen që i jep Kievit, por po ashtu mirëpriti shpenzimet prej 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje, ashtu siç kërkohet nga shtetet e NATO-s.

"Amerika dhe Gjermania janë dy mbështetëset më të mëdhaja të Ukrainës në luftën e saj për mbijetesë si shtet i pavarur dhe i lirë", tha Biden.

Paraprakisht, Biden u takua edhe me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili i ndau medaljen më të lartë të Gjermanisë, Urdhrin e Meritave.

Biden, i cili mbërriti në Gjermani mbrëmjen e së enjtes, fillimisht planifikoi ta vizitonte këtë vend javën e kaluar për një vizitë katërditore për të marrë pjesë edhe në takimin e grupit Ramstein të rreth 50 aleatëve të Ukrainës, për të diskutuar dhe bashkërenduar ndihmën ushtarake për Ukrainën, të cilën e pret një dimër i vështirë.

Por, ai e anuloi atë vizitë për t’u marrë me pasojat e uraganit Milton në SHBA.

SHIKONI EDHE: Biden njofton 425 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka thënë se Bideni synon "ta bëjë angazhimin tonë ndaj Ukrainës të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar për një periudhë afatgjatë".

Më 17 tetor, Zelensky paraqiti hollësi të "planit të tij të fitores" para aleatëve të Ukrainës në BE dhe NATO, duke kërkuar t’i bindë ata ta ftojnë Ukrainë për t'iu bashkuar aleancës ushtarake – një vendim që, sipas tij, do të zbuste vullnetin e Moskës për ta vazhduar luftën dhe do ta detyronte të negocionte në mirëbesim.

Megjithatë, derisa ka deklaruar se Ukraina do të bëhet anëtare e saj një ditë, NATO-ja deri tani nuk ka dhënë një afat të qartë, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se synimi i Ukrainës për t'iu bashkuar aleancës ishte një nga arsyet për pushtimin e saj.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, duke rikonfirmuar se NATO-ja po punon për ta afruar Ukrainën gjithnjë e më pranë, nuk e përkrahi thirrjen e Zelenskyt për ta ftuar atë t’i bashkohet aleancës.

LEXONI EDHE KËTO:

Ukraina nxjerr para Perëndimit “Planin e Fitores”Ukrainës po i shtohet trysnia në fushëbetejë e përtej

"Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, për këtë nuk ka dyshim, dhe derisa të ndodhë kjo, ne do të sigurohemi që Ukraina të ketë gjithçka që i nevojitet për të fituar", tha Rutte, duke shtuar se është thelbësore që NATO-ja të vazhdojë t’i sigurojë Kievit ndihmë ushtarake.

Më herët, ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, u tha gazetarëve se, megjithëse rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit të NATO-s është e pakthyeshme, "ne nuk jemi në pikën ku aleanca po shqyrton dërgimin e një ftese shumë shpejt".

Kievi është përpjekur shumë për t‘i mobilizuar aleatët e tij perëndimorë pasi forcat e tij, të mbingarkuara dhe me mungesë armatimi, janë përballur me një përparim të ngadaltë, por të vazhdueshëm të trupave ruse në lindje.

Për më tepër, zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA ngrenë shqetësime për mënyrën se si dy kandidatët, nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump, do të merren me luftën në Ukrainë.

Trump, i cili e ka kritikuar vazhdimisht Zelenskyn gjatë fushatës së tij presidenciale, më 17 tetor fajësoi udhëheqësin ukrainas se gjoja ndihmoi në nisjen e konfliktit, edhe pse lufta filloi kur Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar.

SHIKONI EDHE: Trumpi e fajëson Zelenskyn për nisjen e luftës me Rusinë

“Kjo nuk nënkupton se unë nuk dua ta ndihmoj atë, sepse ndihem keq për ata njerëz. Por, ai nuk është dashur të lejonte kurrë që ajo luftë të niste”, tha Trump në një podkast te Patrick Bet-David.

Ndërkohë, në Ukrainë, Rusia nisi një nga valët më të mëdha të sulmeve me dronë në orët e para të së premtes, raportoi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

"Trupat ruse kryen një nga sulmet më masive me dronë ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës së Ukrainës. Dronët e armikut gjithashtu kërcënuan Kievin. Por, falë punës së koordinuar të forcave të mbrojtjes, të gjithë dronët që po shkonin drejt kryeqytetit u neutralizuan", shkroi Popko në Telegram.

Nuk u raportua për viktima gjatë sulmit ndaj Kievit, i cili zgjati më shumë se katër orë e gjysmë, tha Popko.

Forca ajrore e Ukrainës tha se sulmet kishin në shënjestër rajonet Kiev, Çerkasi, Zhitomir, Vinitsia, Çernihiv, Sumi dhe Poltava. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 80 nga 135 dronët e nisur nga Rusia, tha ajo në Telegram.