Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të vazhdojë mbështetja amerikane për Ukrainën, ndonëse fondet ushtarake për të janë përjashtuar nga një marrëveshje e minutit të fundit, që e ka shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane.
Ky vendim i përkohshëm, i miratuar për ta shmangur mbylljen, nuk përfshin ndihmë ushtarake për Kievin në vlerë të gjashtë miliardë dollarëve – prioritet i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton mbyllja e Qeverisë amerikane?
Republikanët e linjës së ashpër e kundërshtojnë ndihmën e mëtejme ushtarake dhe e kritikojnë qasjen e Bidenit ndaj luftës.
Mirëpo Biden ka thënë të dielën se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Ne nuk mundemi, në asnjë rrethanë, të lejojmë pengimin e ndihmës së SHBA-së në Ukrainë”, ka thënë Biden.
“Unë mund të rikonfirmoj [për Ukrainën] se do ta realizojmë këtë”, ka thënë ai duke iu referuar fondeve.
“Dua t’i siguroj aleatët amerikanë se mund të llogarisni në ndihmë tonë, se nuk po largohemi askund”.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 46 miliardë dollarë si ndihmë ushtarakë për Ukrainën, prej nisjes së luftës së Rusisë në këtë shtet, në shkurt të vitit 2022.
Presidenti Biden i ka kërkuar edhe 24 miliardë dollarë shtesë.
Muajve të fundit, SHBA-ja ka nisur në Ukrainë edhe raketa me rreze të gjatë dhe tanke Abrams.
Ndërkohë forcat e Kievit vazhdojnë të luftojnë në kundërofensivën, që sipas ekspertëve, është duke u zhvilluar me ritëm të ngadalshëm në jug të shtetit.
SHIKONI EDHE: “Më dinaku fiton”: Këmbësoria ukrainase po e thyen dalëngadalë mbrojtjen ruse
Në deklarimin e tij para Kievit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se askush nuk duhet “ta fikë qëndrueshmërinë e Ukrainës”.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.