Biden mbron retorikën e tij kundër Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbrojti retorikën e tij kundër ish-presidentit Donald Trump, në intervistën e tij të parë që nga atentati kundër këtij të fundit, në fundjavë.

Biden dhe Trump do të përballen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Duke folur për NBC-në, Biden tha se fushata e tij e ka për detyrë të flasë hapur për kërcënimet që do t’i sillte një mandat i dytë i Trumpit dhe shtoi se fjalët e tij nuk janë ato që duhet të zbuten.

Megjithatë, ai tha se ka qenë “gabim” që ka thënë se është “koha për ta vënë Trumpin në qendër të objektivit”.

Sipas raportimeve nga Politico, Biden i bëri këto komente në një bashkëbisedim me disa donatorë, disa ditë përpara atentatit kundër Trumpit, në një tubim në Pensilvani, më 13 korrik.

Në intervistën dhënë NBC-së, Biden tha se me këtë ka menduar që demokratët e tij duhet të fokusohen më shumë te Trumpi, politikat e tij dhe deklaratat e rreme që ka bërë gjatë një debati presidencial, muajin e kaluar.

SHIKONI EDHE: Trump zotohet se do t’i bashkojë amerikanët

Gjatë intervistës, Biden e bëri të qartë se nuk do të tërhiqet nga gara presidenciale, pavarësisht thirrjeve të disa anëtarëve të partisë së tij për ta bërë këtë, për shkak të performancës së tij të dobët në atë debat.

“Unë e kuptoj përse njerëzit thonë: Zot, ai është 81 vjeç. Ua! Çfarë do të bëhet kur të jetë 83 vjeç, 84 vjeç?... Është një pyetje legjitime që bëhet”, tha Biden.

Ai shtoi se u beson votuesve që e mbështetën atë në zgjedhjet paraprake demokrate. “Unë i dëgjoj ata”, tha Biden.

SHIKONI EDHE: Biden pas atentatit kundër Trumpit: Urrejtja nuk duhet të ketë port të sigurt

Në një fjalim nga Zyra Ovale, më 14 korrik, Biden e dënoi sulmin kundër Trumpit dhe u bëri thirrje amerikanëve që “të bëjnë një hap prapa”, duke thënë se “retorika politike në këtë vend është nxehur shumë”.

Trump u plagos në vesh gjatë një tubimi në Batlër të Pensilvanisë, më 13 korrik.

Nga të shtënat u vra një spektator, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

Sulmuesi i dyshuar, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.