Biden kërkon të përdoren asetet e oligarkëve rusë për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, po i kërkon Kongresit amerikan të enjten (28 prill) kompentenca të reja për të kapur dhe ripërdorur asetet e oligarkëve rusë, për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.

Biden do të kërkojë miliarda dollarë në shpenzime shtesë të SHBA-së të destinuara për furnizimin e ushtrisë së Ukrainës, forcimin e ekonomisë së saj dhe mbështetjen e miliona refugjatëve që u larguan nga pushtimi rus dy muaj më parë.

Ai gjithashtu do të kërkojë kompentenca të reja nga Kongresi për të forcuar sanksionet e SHBA-së kundër qeverisë ruse dhe atyre që përfitojnë prej saj, tha Shtëpia e Bardhë.

Bideni po u kërkon ligjvënësve që të bëjnë vepër penale për një person që "me vetëdije ose qëllim të zotërojë të ardhura të përfituara drejtpërdrejt nga marrëdhëniet korruptive me qeverinë ruse”... dhe të zgjerojë përkufizimin e "shantazhit" sipas ligjit të SHBA-së për të përfshirë përpjekjet për t'iu shmangur sanksioneve.

Bideni do t'i kërkojë gjithashtu Kongresit të lejojë që qeveria federale të përdorë të ardhurat nga shitja e aseteve të sekuestruara të oligarkëve rusë të sanksionuar për të ndihmuar popullin e Ukrainës.

Në një fjalim virtual drejtuar drejtuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje që të ardhurat nga pronat e sanksionuara dhe rezervat e Bankës Qendrore të përdoren për të kompensuar Ukrainën për humbjet e saj.

Ai tha se asetet e ngrira ruse “duhet të përdoren për të rindërtuar Ukrainën pas luftës, si dhe për të paguar për humbjet e shkaktuara kombeve të tjera”.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha në atë kohë se do të nevojiteshin veprime të Kongresit për të autorizuar veprime të tilla.

Lufta ka shkaktuar tashmë më shumë se 60 miliardë dollarë dëme në ndërtesa dhe infrastrukturë në Ukrainë, tha javën e kaluar presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

FMN-ja në parashikimin e saj të fundit të perspektivës së ekonomisë botërore tha se ekonomia e Ukrainës do të tkurret me 35 për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt ndërsa që nga ajo kohë, shumë shtete perëndimore kanë sanksionuar Rusinë, në përpjekje për ta ndalur pushtimin.

SHIKONI EDHE: Putin paralajmëron kundër ndërhyrjes së huaj në Ukrainë