Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se beson se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën “gabim” në mënyrën se si po e trajton Gazën.
“Unë mendoj se kjo që po bën ai, është gabim. Nuk jam dakord me qasjen e tij”, tha Biden në një intervistë për Univision - një rrjet televiziv në gjuhën spanjolle.
Ai tha se Gaza duhet të ketë “qasje të plotë në të gjitha ushqimet dhe barnat” në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme.
Javën e kaluar, Biden paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së për luftën e Izraelit do të varet nga ajo se sa do të lejojë ai hyrjen e ndihmave dhe të barnave.
Izraeli mohon se pengon hyrjen e ndihmave brenda Gazës, duke thënë se janë agjencitë e OKB-së ato që kanë dështuar në shpërndarjen e tyre.
SHIKONI EDHE: Lufta në Gazë hyn në muajin e shtatë
Izraeli nisi një fushatë sulmesh në Gazë - enklavë e banuar me palestinezë - pasi Hamasi, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, sulmoi territorin e tij tetorin e kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Autoritetet izraelite thonë se nga 130 pengjet që mbeten në Gazë, së paku 34 janë të vdekur.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se mbi 33.000 banorë të Gazës janë vrarë prej se Izraeli ka nisur ofensivën.
Pjesë të mëdha të territorit janë shkatërruar dhe shumë prej banorëve vuajnë nga uria.
SHIKONI EDHE: Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën që kërkon “armëpushim të menjëhershëm” në Gazë
Biden tha se është “e neveritshme” se si automjetet e organizatave të ndihmës “janë goditur me dronë”.
“Ajo që unë kërkoj, është që izraelitët të bëjnë thirrje për armëpushim, të lejojnë brenda gjashtë deri në tetë javëve të ardhshme qasje të plotë në të gjitha ushqimet dhe barnat që shkojnë në atë vend”, tha Biden.
Më herët, Biden ka thënë se Hamasi duhet të pajtohet për një pauzë dhe për lirimin e pengjeve të mbetura.
Izraeli ka thënë së voni se do të hapë një vendkalim drejt Gazës veriore dhe një port me ujë të thellë, për të mundësuar qarkullimin e më shumë ndihmave në zonë. Por, nuk është ende e qartë se kur do të mund të ndodhin këto.
Biden është duke u përballur me presion të brendshëm për shkak të Izraelit. Gjatë javëve të fundit, ai e ka ashpërsuar retorikën e tij edhe kundrejt Netanyahut.
Por, furnizimet ushtarake, përfshirë bomba, raketa dhe municione, kanë vazhduar të dërgohen nga SHBA-ja në Izrael, pa ndërprerje.
SHIKONI EDHE: Netanyahu thotë se Izraeli s’i pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim
Izraeli ka marrë ndihmë nga SHBA-ja më shumë se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara tradicionalisht e kanë mbrojtur Izraelin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kanë vënë veto ndaj tri projekt-rezolutave për luftën në Gazë.
Muajin e kaluar, SHBA-ja ka abstenuar kur Këshilli i Sigurimit ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Gazë.