Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka miratuar furnizimin e Ukrainës me mina kundër këmbësorisë, tha një zyrtar amerikan për Reuters.
Ky shihet si një hap që mund t’i ndihmojë Ukrainës ta ndalë përparimin e forcave ruse në lindje të vendit, posaçërisht nëse minat përdoren bashkë me municionet e tjera nga Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara presin që Ukraina t’i përdorë minat në tokën e vet, edhe pse ka kërkuar që ato të mos përdoren në pjesët e banuara me civilë, tha zyrtari.
Washington Post raportoi i pari për vendimin e Bidenit.
Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Ukrainën me mina kundërtanke gjatë gjithë luftës së saj me Rusinë, por shtimi i minave kundër këmbësorisë ka për qëllim frenimin e përparimit të këmbësorisë ruse, theksoi zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Your browser doesn’t support HTML5
Minat amerikane dallojnë nga ato të Rusisë, sepse ato janë të “paqëndrueshme” dhe bëhen të padobishme pas një kohe, tha zyrtari. Atyre u nevojitet bateria për të shpërthyer dhe nuk mund të shpërthejë pasi t’u ketë mbaruar bateria.
Të martën, Ukraina i përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për të kryer sulme në tokën ruse, duke e shfrytëzuar lejen që administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, ia dha në ditën e 1.000-të të luftës.
Moska tha se përdorimi i ATACMS-ve, raketat më rrezen më të gjatë që Uashingtoni e ka furnizuar deri tani Ukrainën, është shenjë e qartë se Perëndimi dëshiron ta përshkallëzojë konfliktin.
Të martën, presidenti rus Vladimir Putin e uli pragun për përdorimin e armëve bërthamore si përgjigje ndaj një game më të gjerë të sulmeve konvencionale.
Rusia ka muaj që e paralajmëron Perëndimin se, nëse Uashingtoni e lejon Ukrainën të hedhë raketa amerikane, britanike dhe franceze thellë brenda Rusisë, atëherë Moska do t’i konsiderojë këto vende anëtare të NATO-s si të përfshira drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë.