Forcat ukrainase janë duke luftuar kundër Rusisë në qytetin e Mariupolit, kanë thënë zyrtarët e Ukrainës, pavarësisht disa raportimeve se beteja gati ka mbaruar.
Zëvendëskryetari i qytetit Serhiy Orlov ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se “beteja për Mariupolin po vazhdon”.
“Rusët kanë pushtuar përkohësisht një pjesë të qytetit. Ushtarët ukrainas vazhdojnë të mbrojnë pjesët qendrore dhe ato jugore të qytetit, si dhe zonat industriale dhe pjesët tjera”, ka thënë Orlov.
Mariupoli gjendet në mes të rajoneve pro-ruse, Donjeck dhe Luhansk në lindje të Ukrainës dhe Krimesë së aneksuar në jug.
Marrja e kontrollit të qytetit ka qenë synim i madh në ofensivën ruse.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se dhjetëra mijëra njerëz mund të jenë vrarë në Mariuupol.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e shtatë.
Moska ka fokusuar forcat në lindje dhe jug të Ukrainës dhe luftimet mund të bëhen më brutale në ato zona.
Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.