Reuters
Mbi 90 për qind e banorëve janë larguar, shumica e qytetit është nën rrënoja, dhjetëra mijëra persona janë vrarë, dhe rëndësia strategjike është minimizuar nga shefat e Pentagonit dhe NATO-s. Por, Rusia dhe Ukraina po vazhdojnë të luftojnë për qytetin e vogël të Bahmutit.
Pas pothuajse tetë muajsh luftë nga llogoret, forcat ukrainase janë të rrethuara nga tri anë, linjat e furnizimit të Kievit po pakësohen dhe Moska ka nën kontroll pothuajse gjysmën e Bahmutit. Megjithatë, Ukraina është zotuar se do të dyfishojë mbrojtjen e qytetit, pavarësisht faktit se të dyja palët po pësojnë numër të lartë të viktimave.
Disa analistë ushtarakë perëndimorë kanë sugjeruar se do të kishte më shumë kuptim për forcat ukrainase të tërhiqen dhe të krijojnë një linjë të re mbrojtëse, por Kievi deri më tani nuk ka treguar shenja se do të bëjë diçka të tillë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar “Fortesën e Bahmutit” si simbol të sfidës, që po përgjak ushtrinë ruse.
Për Moskën, rënia e qytetit që ajo e quan me emrin e epokës sovjetike, Artiomovsk, do të ishte fitorja e parë e madhe që nga mesi i vitit 2022 dhe do të ishte një shtytje për luftën e saj të gjerë kundër Ukrainës. Moska po ashtu ka pretenduar se po shkatërron forcat ukrainase në këtë qytet.
Çfarë është Bahmuti?
Ky qytet gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut, që është pjesë e rajonit të Donbasit, ku jetojnë kryesisht rusisht-folës. Këtë rajon, Moska dëshiron ta aneksojë përmes “operacionit të posaçëm ushtarak”, siç e quan ajo pushtimin e Ukrainës.
Para nisjes së luftës, qyteti kishte 70.000-80.000 banorë, por zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha gjatë këtij muaji se më pak se 4.000 civilë, përfshirë 38 fëmijë, tani gjenden në qytet.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Rezultati i betejave në lindje, vendimtar për të ardhmen e UkrainësDuke kujtuar Luftën e Parë Botërore, beteja për Bahmutin është luftuar nga llogoret me sulme të pamëshirshme artilerie dhe raketash në një fushëbetejë të minuar rëndë. Në Bahmut ka pasur edhe luftime shtëpi më shtëpi.
Qyteti ka qenë dëshmitarë i masakrave edhe më herët: gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese naziste grumbulluan 3.000 hebrenj në një minierë dhe i vranë.
Zonë e vrasjeve?
Pamjet e fushëbetejave të mbushura me kufoma nga të dyja palët janë shfaqur në mediat sociale dhe Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit të mercenarëve rus Wagner, që përbën një forcë të madhe në luftime, ka publikuar një fotografi të luftëtarëve të tij të vdekur.
Shifrat e numrit të viktimave janë të dhëna të klasifikuara, por zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se dhjetëra mijëra ushtarë rusë – shumë prej tyre të burgosur, që ishin rekrutuar nga Wagner-i – janë vrarë. Mijëra trupa ukrainase besohet se janë vrarë po ashtu.
SHIKONI EDHE: Luftime të ashpra në Bahmut, raportohet për humbje të mëdhaZelensky tha më 12 mars se ushtria e tij ka vrarë mbi 1.000 rusë afër Bahmutit javën e shkuar dhe kanë plagosur edhe 1.500 të tjerë. Po të njëjtën ditë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat ruse kanë vrarë mbi 220 ushtarë ukrainas në lindje të Ukrainës brenda 24 orëve.
Ndihmësi i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak tha se Ukraina po lufton në Bahmut sepse beteja është duke shënjestruar njësitë më të mira të Rusisë dhe po i degradon ato përpara një kundërofensive ukrainase të planifikuar për në pranverë.
Konrad Muzyka, analist ushtarak nga Poloni i cili së fundmi me kolegët e tij ka vizituar Bahmutin, tha se më nuk ka kuptim ushtarak që të mbahet kontrolli i këtij qyteti.
“Vendimi për të mbrojtur Bahmutin tash është vendim politik dhe jo ushtarak”, tha Muzyka për Reuters. Ai shtoi se shikuar nga prizmi ushtarak, shkalla dhe kostoja e humbjeve ukrainase tani janë më të larta sesa përfitimet nga mbajtja e kontrollit të qytetit.
Rob Lee, i cili ishte në po të njëjtin udhëtim, shkroi në Twitter se ka ende arsye të forta për Ukrainën që të vazhdojë ta mbrojë Bahmutin, për shkak se aftësia e saj për t’i shkaktuar humbje të mëdha armikut ishte dobësuar, pasi forcat ruse morën krahun verior të qytetit muajin e kaluar.
Trampolinë për Rusinë?
Qendër e transportit rajonal dhe logjistikës, Bahmuti do të ishte i dobishëm për forcat ruse, megjithëse kjo varet nga ajo se sa infrastrukturë e këtij qyteti ka mbetur e pashkatërruar.
Më e rëndësishmja, marrja e këtij qyteti do t’i jepte Rusisë mundësinë që të përparonte drejt dy qyteteve të tjera të mëdha në rajonin e Donjeckut: Kramatorsk dhe Slloviansk.
Që të dy këto qytete janë në rrezen e fushëveprimit të artilerisë ruse. Moska ka nevojë që t’i kontrollojë të dyja qytetet për të përfunduar atë që e quan “çlirimin” të “Republikës Popullore të Donjeckut”.
Gjatë këtij muaji, Zelensky tha për CNN se ka frikë se forcat ruse do të kenë “rrugën hapur” për dy qytetet nëse e marrin Bahmutin. Ai tha se urdhri i tij për të mbajtur qytetin e Bahmutit ishte një vendim taktik.
SHIKONI EDHE: Zelensky zotohet se do ta forcojë mbrojtjen e BahmutitQyteti Çasiv Jar që gjendet në perëndim të Bahmutit, ndoshta do të ishte lokaliteti i radhës që do të përballej me sulmin rus, edhe pse ky qytet gjendet në lartësi të madhe dhe forcat ukrainase besohet se kanë ngritur fortifikime në afërsi të këtij qyteti.
Analistët dhe diplomatët perëndimorë janë shprehur skeptikë se forcat ruse mund të përfitonin shumë shpejt nga marrja e Bahmutit, duke pasur parasysh se sa kohë kanë luftuar në këtë qytet. Forcat ruse e kanë granatuar Bahmutin që nga maji i vitit të kaluar dhe kanë nisur sulmet tokësore në gusht.
Tërheqja kaotike e Rusisë nga verilindja e Ukrainës vitin e kaluar, po ashtu e ka lënë atë pa territorin që do t’ia bënte më të lehtë forcave të saj të merrnin në kontroll qytete sikurse Slloviansku, pasi ta kishin nën kontroll Bahmutin.
Shtytje psikologjike?
Për Rusinë, fitorja në Bahmut do të ishte një shtytje morale pasi që nga viti i kaluar është përballur me një sërë disfatash.
Për Ukrainën, humbja e Bahmutit do të ishte një goditje morale edhe nëse – siç kanë thënë aleatët e saj – mund të mos përbëjë ndonjë diferencë të madhe strategjike.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton për Ukrainën rënia e Bahmutit?Si shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, ashtu edhe ai i NATO-s, Jens Stoltenberg, e kanë minimizuar si simbolike rënien e Bahmutit, ashtu siç kanë bërë edhe ekspertët perëndimorë ushtarakë.
Në shenjë të rëndësisë së Bahmutit për Kievin, Zelensky gjatë vizitës së tij në dhjetor në Shtetet e Bashkuara, i paraqiti Kongresit amerikan një flamur beteje të nënshkruar nga mbrojtësit e qytetit.
Mbajtja e qytetit ndihmon në ruajtjen e mbështetjes nga shtetet perëndimore, duke dëshmuar se ky qytet po bën ndryshimin, tha Michael Kofman, ekspert për ushtrinë ruse në qendrën kërkimore CAN me seli në SHBA.
Nëse qyteti bie, Ukraina mund të ngushëllohet nga fakti se e ka mbajtur nga forcat ruse për aq kohë sa ka mundur dhe i ka shkaktuar humbje të mëdha Rusisë, duke sugjeruar se çdo përpjekje ruse për të marrë më shumë territor do të ketë kosto të njëjtë.
Fitore për Wagner-in?
Marrja e qytetit do të ishte një nxitje për të rritur profilin për grupin e mercenarëve rus, Wagner, dhe të themeluesit të këtij grupi, Prigozhin, i cili është i etur për publicitet.
Ish i dënuari dhe magnati 61-vjeçar, që është i sanksionuar nga Perëndimi, është munduar që të fitojë favorin me Putinin dhe të kalojë suksesin e tij në fushëbetejë në ndikim politik.
Përderisa dëshmitë në rritje sugjerojnë se Kremlini po vepron për të frenuar atë që e sheh si ndikim të tepruar politik të Prigozhinit, askush nuk mund të kundërshtojë se mercenarët e Wagner-it, përfshirë edhe të dënuarit që janë rekrutuar nga Prigozhin, kanë luajtur një rol të madh në sulmet në fushëbetejë.
Disa ekspertë perëndimorë ushtarakë besojnë se qëllimi i Ukrainës është ta shkatërrojë Wagner-in si forcë luftarake në Bahmut në mënyrë që ky grup mercenarësh nuk do të jetë në gjendje të mbushë me shpejtësi radhët për të paraqitur një kërcënim diku tjetër në një të ardhme të afërt.
“Nëse Bahmuti merret, Wagner do të jetë një forcë ndjeshëm e degraduar dhe aftësia e tij për t’iu bërë ballë sulmeve në pozicionet ruse, do të jetë një çështje e diskutueshme”, tha analisti polak, Muzyka.
SHIKONI EDHE:
Vdekjet e pjesëtarëve të Wagner-it po u fshihen familjarëve në RusiA e synon Prigozhin karrigen e Putinit?'Trupat po digjen ditë e natë': Shtohen varrezat për mercenarët e Wagner-it në RusiGjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandat i forcave tokësore të Ukrainës, gjatë vizitës në Bahmut më 11 mars tha se Kievi ka arsye të fortë që të mbajë kontrollin e këtij qyteti.
“Heronjtë e këtij qyteti tani janë mbrojtësit që po mbajnë frontin lindor mbi supet e tyre dhe po shkaktojnë humbje maksimale ndaj armikut”, tha ai para trupave që luftojnë në Bahmut.
“Mbrojtja e Bahmutit jep shans për të akumuluar rezerva dhe për t’u përgatitur për kundërofensivën e pranverës, që nuk është aq larg”, shtoi ai.