Beteja e partive për pozicione brenda Ligjit për Prokurorinë

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut - Foto nga arkivi

Grupet punuese të partive politike kanë nisur negociatat për harmonizimin e qëndrimeve lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike, për të cilin të martën dhe të mërkurën janë mbajtur debate publike me ekspertë, që kanë prezantuar vërejtjet e tyre lidhur me draftin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ministrja Renata Deskoska është zotuar se në propozimin final do të përfshihen vërejtjet kryesore të ekspertëve, por ka përjashtuar mundësinë për vënien sërish në funksion të ish-Prokurorisë Speciale, siç është kërkuar nga disa ekspertë, apo mbylljen e lëndëve të kësaj prokurorie, që kanë të bëjnë me ish -zyrtarët, siç kërkon opozita maqedonase.

“Prandaj propozimi përmban konceptin tjetër apo atë të ngritjes së një prokurorie të fuqishme për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila do të merret edhe me lëndët që ishin nën kompetencë të prokurorëve specialë”, ka deklaruar Deskoska.

SHIKONI EDHE: “Beteja” për 80 votat për miratimin e Ligjit të Prokurorisë Publike

Ajo, ndërkohë, ka refuzuar kërkesën e opozitës që në ligj në vend të emrit “Maqedonia e Veriut” të përdoret termi Republika.

Ekspertët kanë ngritur dilemën nëse ndryshimet sa i përket zgjedhjes së kryeprokurorit, do të garantonin largimin e ndikimeve politike, ndërsa nuk e kanë mbështetur as kërkesën që ai të zgjidhjet me propozim të opozitës, pasi kjo, sipas tyre, vetvetiu do të nënkuptonte përzierjen e politikës.

“Korniza e propozuar ligjore rreth procedurës dhe kritereve për zgjedhjen e kryeprokurorit dhe prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion, nuk japin garanci të mjaftueshme për punë të pavarur, të paanshme dhe të pandikuar nga politika, të kryeprokurorit dhe të prokurorëve që punojnë në rastet e korrupsionit të lartë”, ka deklaruar Aleksandar Klimovski.

SHIKONI EDHE: Ligji për Prokurorinë, peng i zgjedhjeve të parakohshme

Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike, por edhe i reformave tjera është kërkuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend. Ata kanë theksuar rëndësinë që ka për Maqedoninë e Veriut konsolidimi i Gjyqësorit, si kusht për sundimin e shtetit ligjor.

“Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, siç e kemi mbështetur gjithmonë. Po besojmë se vendi do t’i intensifikojë reformat, në mënyrë që të binden të gjithë ata që dyshojnë se vendi i këtij shteti është në BE”, ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberich.

SHIKONI EDHE: Kuvendi miraton qindra ligje para datës së shpërndarjes

Ambasadorja e SHBA-së, Kate Byrnes, ka deklaruar se miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike do të ishte një dëshmi e mirë se institucionet janë të përkushtuara për sundim të ligjit, procedimin e lëndëve gjyqësore të ish-Prokurorisë Speciale dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Mendojmë se miratimi i propozim-ligjit për Prokurorinë Publike, do të dëshmonte në këtë kohë kritike angazhimin e Maqedonisë së Veriut për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo duhet të jetë mbi politikat partiake. Çështja e Prokurorisë Speciale Publike duhet të vazhdojë. Qytetarët presin dhe meritojnë të shohin se ata që e kanë keqpërdorur besimin publik, do të japin llogari dhe se drejtësia është e njëjtë për të gjithë”, ka deklaruar ambasadorja amerikane, Kate Byrnes.

Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike vlerësohet si shumë i rëndësishëm për procesin integrues apo marrjen e datës së bisedimeve të anëtarësimit, për shkak se shumë lëndë gjyqësore që përfshijnë ish -zyrtarë të lartë shtetërorë, ende nuk kanë marrë epilog gjyqësor.